Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, të martën ka marrë fjalën në organizimin e bërë në nderim të mërgatës së Kosovës. Gërvalla nga podiumi që ishte vendosur në afërsi të Qeverisë së Kosovës, ka përmendur edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, i cili s’ka mundur t’i bashkohet organizimit për shkak të udhëtimit të tij drejt Parisit në kuadër të Lojërave Olimpike.
Shefja e diplomacisë kosovare i është referuar kryeministrit si “super-stari” që po mungon në mbrëmjen e organizuar për mërgatën.
Gërvalla ka treguar se ndonëse Kurti s’ka mundur të vijë, ai është kujdesur që t’iu drejtohet qytetarëve të mbledhur në sheshin qendror të Prishtinës përmes një video-mesazhi.
“Një super-star i kësaj mbrëmje s’është e mundur të jetë i pranishëm në mesin tonë, prandaj na ka dërguar një video me të cilën i përshëndet të gjithë të pranishmit. Ju ftoj ta dëgjoni video-mesazhin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit”, ka thënë Gërvalla.
Kryediplomatja Gërvlla në këtë organizim e ka përmendur edhe presidenten Vjosa Osmani, me të cilën ka pasur një përplasje tejet të ashpër rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kryetarja e partisë “GUXO” emrin e presidentes e ka përmendur derisa ka treguar se këngëtarja Dafina Zeqiri ka kënduar këngën “llafe, llafe”, e që sipas kryediplomates është kënga e presidentes Vjosa Osmani.
“Para se të kalojë të këngëtari i ardhshëm, pasi kënduan Dafina, këndoi këngën e presidentes “llafe, llafe””, ka vazhduar kryediplomatja Gërvalla, shkruan gazeta express.