Në fund të Konferencës për Klimën në Madrid u arrit vetëm një kompromis minimal: një deklaratë politike përfundimtare me shumë fraza të paqarta. Çështjet më të mëdha të diskutueshme u shtynë për në vitin 2020.
Në seancën e fundit plenare të dielën në mëngjes mbizotërues qe zhgënjimi – BE madje e përshkroi veten si “një nga palët më të zhgënjyera”: konferenca nuk mundi të binte dakord se si duhet të zbatohet në praktikë neni 6 i Marrëveshjes së Parisit. Ky nen ka të bëjë me bashkëpunimin midis palëve kontraktuese për të arritur së bashku qëllimet e mbrojtjes së klimës.
Sipas kësaj, do të ishte e përfytyrueshme që një vend i industrializuar të financojë projektet e mbrojtjes së klimës në një vend në zhvillim – dhe nga kursimet e CO2 nuk do të përfitonin vetëm klima globale, por edhe bilanci i vendit të industrializuar.
Në varësi të modelit, këto “mekanizma të tregut” fshehin mundësitë për të falsifikuar bilancin, masat e marra, në rrethana të caktuara mund të llogariten dy herë. Megjithatë, vendet e ndryshme nuk miratuan rregulla më të rrepta – neni 6 tani i është dërguar COP26 në Glasgow vitin e ardhshëm, shkruan Deutsche Welle.
Dy zgjatje dhe debate pa fund
Konferenca e Madridit duhej të kishte përfunduar në fakt që të premten. Por zgjatja me dy ditë dhe negociatat 40-orëshe nuk sollën përparimin për të cilin shpresohej. Gjatë natës, ministrja e Mjedisit të Kilit, Carolina Schmidt, e cila e kryesoi konferencën, vërtet që nxori një deklaratë të përbashkët politike. Në disa pika, megjithatë, në vend të qëllimeve konkrete, u miratuan vetëm deklarata të paqarta qëllimi; tema të tilla si tregu ndërkombëtar për certifikatat e CO2 sipas nenit 6, u shtynë krejtësisht. Përfaqësuesi i Egjiptit, i cili vepronte si zëdhënës i shteteve afrikane, u ankua se “pjesëmarrësit nuk ishin në gjendje as të nënvizonin rëndësinë e financimit të mbrojtjes së klimës”.
Frenuesit Trump dhe Bolsonaro
Nga këndvështrimi i organizatës për mbrojtjen e mjedisit Greenpeace, fajtorë për dështimin e rregullave më ambicioze janë para së gjithash SHBA dhe Brazili. Për Shtetet e Bashkuara kjo ishte gjithsesi konferenca e fundit për Marrëveshjen e Parisit, pasi Presidenti Donald Trump ka nisur daljen. Presidenti brazilian Jair Bolsonaro e konsideron pyllin e Amazonës, i cili ka rëndësi thelbësore për klimën globale, si burim të ekonomisë braziliane.
Drejtori ekzekutiv i Greenpeace Gjermani, Martin Kaiser, e quajti konferencën që përfundoi “një sulm në zemër të Marrëveshjes së Parisit. Ajo tradhton të gjithë ata njerëz që kanë kohë që vuajnë nga pasojat e krizës klimatike dhe që bëjnë thirrje për përparim të shpejtë”. Shefi i politikës për klimën të WWF, Michael Schäfer, tha: “Konferenca është një fillim tmerrësisht jo i mirë për vitin 2020, aq të rëndësishëm për zbatimin e marrëveshjes së klimës së Parisit.”
Në konferencën e klimës në Paris në vitin 2015, të gjitha vendet pjesëmarrëse ranë dakord për një marrëveshje ndërkombëtare, që synon të marrë masa për të kufizuar ngrohjen globale në më pak se dy gradë Celsius, në mënyrë ideale 1.5 gradë, krahasuar me epokën para-industriale. Midis shkencëtarëve të klimës konsiderohet konsensus se toka aktualisht po ecën drejt ngrohjes me tre deri në katër gradë, e cila do të kishte pasoja katastrofale në të gjitha pjesët e botës. /DW/