Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se është mbajtur konferenca “Dialog Politikash në fushën e kërkimeve shkencore dhe inovacionit”, Përmes ngritjes së kapaciteteve të kërkimit shkencor dhe inovacionit.
Lidhur me këtë Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci theksoi se përmes ngritjes së kapaciteteve të kërkimit shkencor dhe inovacionit, si prioritete të kësaj Qeverie, ngrisin dukshëm edhe cilësinë e arsimit, e bashkë me të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik e social të vendit.
Njoftimi i plotë:
Përmes ngritjes së kapaciteteve të kërkimit shkencor dhe inovacionit, si prioritete të kësaj Qeverie, ngrisim dukshëm edhe cilësinë e arsimit, e bashkë me të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik e social të vendit. Kështu ka thënë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila bashkë me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, kanë marrë pjesë në hapjen e konferencës “Dialog Politikash në fushën e kërkimeve shkencore dhe inovacionit”, të organizuar nga HERAS+ mbështetur nga MAShTI dhe Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.
Konferenca ka për qëllim fillimin e diskutimit të të gjithë akterëve për të zhvilluar një listë të veprimeve afatmesme dhe afatgjata të nevojshme për zhvillimin e një sistemi efikas dhe efektiv për kërkimin shkencor dhe inovacionin në Kosovë.
Ministrja Nagavci falënderoi Qeverinë e Austrisë për mbështetjen e fuqishme për arsimin në Kosovë, ndërsa duke folur për synimin e MAShTI për ngritjen e kapaciteteve të kërkimit shkencor dhe inovacionit, tha se Ministria ka në fokus politikbërjen që është e bazuar në evidencën shkencore.
Ajo uroi që nga sesionet e konferencës të dalin rekomandime të vlefshme që do ta ndihmojnë Ministrinë e Arsimit të përpilojë një udhërrëfyes gjithëpërfshirës për proceset që na presin në kërkim shkencor e inovacion.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, theksoi faktin se Austria është një prej donatorëve më aktiv në fushën e arsimit të lartë në Kosovë, ndërsa tha se do të vazhdojë përkrahja në përpjekje të rëndësishme edhe për kërkime shkencore dhe inovacion.
Ndërkaq, zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna, foli për vizionin e Qeverisë së Kosovës, respektivisht planet e MAShTI për vitet e ardhshme, në mënyrë që vendi ynë të shënojë arritje në kërkim shkencor dhe inovacion.
Konferenca, ku po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve, përfaqësues të arsimit të lartë, hulumtues dhe inovatorë nga vendi dhe diaspora, donatorë, përfaqësues të shoqërisë civile, pasdite ka vazhduar punimet në sesione.
Kontributi i mbledhur gjatë konferencës do të shërbejë si bazë për draftimin e një dokumenti që do t’ia lehtësojë MAShTI-t punën për planifikimin e politikave në fushën e kërkimeve shkencore dhe inovacionit.