Edicioni i tretë i konferencës më të madhe të teknologjisë në rajon e cila mbahet në Kosovë, DOKU:TECH, fillon këtë fundjavë (më 6-7 gusht) në Lidhjen e Prizrenit, në Prizren.
DOKU:TECH ashtu si vitet e kaluara edhe këtë vit sjellë për audiencën kosovare emra të njohur të fushës së teknologjisë, ndërmarrësisë, shkencës dhe biznesit nga e mbarë bota.
Shkencëtarja shqiptaro-amerikane, Laura Mersini Houghton, ishte folësja e parë që i parapriu DOKU:TECH-ut me një edicion special në Prishtinë. Ndërsa, hapja zyrtare e konferencës në Prizren do të bëhet me 6 gusht nga Aral Balkan, aktivist, dizajner, zhvillues softuerik, i cili përmes punës së tij në www.Ind.ie mundohet të tregojë rëndësinë e qasjes etike në zhvillimet teknologjike.
Pas dizajnerit Aral, në ditën e parë të DOKU:TECH do të jenë edhe katër fjalime të tjera duke përfshirë fjalimin e Addie Wagenknecht, artiste digjitale që me punën e saj mundohet të hulumtojë tendosjen në mes shprehjes dhe teknologjisë, Josipa Majic, një nga top 10 zbulueset e produkteve inovative për këtë vit.
Ajo ka krijuar një produkt në formë të ariut lodër “Teddy Guardian” që mat pulsin e zemrës, shtypjen e gjakut dhe temperaturën tek fëmijët dhe i dërgon këto informata direkt tek telefonat e mençur të prindërve, Thorsten Wiedemann, njeriu i parë në botë që kaloi 48 orë në një realitet virtual, dhe Mike Butcher, i cili vjen në Prizren për të rrëfyer suksesin e tij si redaktor i web-it më të njohur në botë të teknologjisë, TechCrunch.
Ai është themelues i kampanjës globale TechFugees dhe komentator i rregullt i teknologjisë në biznes në BBC News, Sky News, CNBC.
Edhe dita e dytë e DOKU:TECH do të ketë folës po aq interesant sa dita e parë. Më 7 gusht 2016 mban fjalim Valto Loikkanen, ndërmarrës me 20 vjet përvojë globale. Ai është bashkë-themelues i Grow VC Group, kompani lidere në botë, e cila mundëson tregjet digjitale financiare.
Më pas Lama Monsour tregon edhe njëherë fuqinë e grave në fushën e teknologjisë. Ajo është bashkëthemeluese e BOLD Gadgets, start up-i i parë i teknologjisë në Palestinë, që ka marrë përmasa ndërkombëtare, Tobias Stone, bashkëthemelues i shumë kompanive kryesisht të fokusuara në ruajtjen e shëndetit. Po ashtu Stone është këshilltar në e-Residency Program në Qeverinë e Estonisë, Uri Aviv është nga Tel Aviv, themelues dhe drejtor gjeneral i asociacionit Utopia, në kuadër të të cilit është edhe festivali Utopia, që mbledh film-dashësit e zhanrit science fiction dhe fantastik, Simone Cortesi është anëtar i bordit në Wikimedia Foundation dhe bashkë-themelues i Open StreetMap.
Për më shumë se 10 vjet, Cortesi është i përfshirë në të dhënat ndërkombëtare. Udhëheq OpenStreetMap Foundation, që ka ndihmuar shumë qeveri të kenë të dhënat transparente, si dhe Josephine Goube është aktiviste e teknologjisë. Kur kishte vetëm 23 vjet, ajo u emërua Eksperte në çështjen e imigrimit për Komisionin Evropian.
Për here të dytë në DOKU:TECH vjen Peter Sunde, kreator i The Pirate Bay, por në cilësinë e pjesëmarrësit.
Master-klasat në kuadër të DOKU:TECH do të mbahen në Hamam të Prizrenit nga ora 11:00 deri në ora 15:00, ku do të mësohet më shumë për algoritmat e Facebook-ut, për metadata. Do të ketë master-klasa të dedikuara për gazetarët si dhe të papunët që synojnë të kenë sukses në intervista të punës.
Edhe punëtoritë do të jenë të hapura për dy ditë të DOKU:TECH nga ora 17:00 deri në ora 21:00. Punëtoritë do të mbahen nga UNICEF Innovations Lab Kosovo dhe përfshijnë tema mbi shkencën dhe të rinjtë. Do të ketë edhe ekspozitë të produkteve te ndryshme teknologjike nga BONEVET, Girls Coding Kosova, Prishtina Hackerspace dhe VR HTC Vive.
Për të pasur një fundjavë të paharruar teknologjike, duke qenë pjesë e përvojës praktike dhe e një audience kurioze në Lidhjen e Prizrenit, të gjithë të interesuarit duhet të regjistrohen në këtë link (http://www.doku.tech/#register) deri me 5 gusht 2016.
Konferenca e teknologjisë DOKU:TECH organizohet nga Fondacioni IPKO dhe Fondacioni SHARE dhe mbahet gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Dokumentarit dhe Filmit të Shkurtër DOKUFEST.