Kryetari i Napolit, Aurelio De Laurentiis, dëshiron ta transferojë Zlatan Ibrahimovicin dhe thotë se bisedimet për një transferim të tillë kanë qenë duke vazhduar që disa muaj.
38-vjeçari ka lënë të kuptohet se atij do t’i pëlqente kthimi në Serie A kur t’i përfundojë kontrata e tij me LA Galaxy, e cila përfundon në fundit të play-offs të Major League Soccer, nivelit të parë të futbollit në SHBA.
Ibrahimovic kishte thënë edhe më parë se atij do t’i pëlqente të luante për Napolin para se të pensionohet, pasi më parë e kishte fituar Serinë A me Juventusin, Milanin dhe Interin, edhe pse dy tituj të tij me Zonjën e Vjetër iu morën për shkak të skandalit Calciopoli.
Trajneri i Napolit, Carlo Ancelotti, kishte punuar me suedezin edhe gjatë kohës sa ai kishte qenë në Paris Saint-Germain dhe tani ka thënë se klubi po pret që qendërsulmuesi i famshëm të arrijë në Itali.
De Laurentiis, i cili u takua rastësisht me Ibrahimovicin në Los Angeles, ka sugjeruar se lojtari vetëm duhet ta pranojë ofertën e Napolit dhe marrëveshja do të jetë e kompletuar.
“Ibrahimovici është një shok. E takova atë në Los Angeles jo si futbollist, por si një person normal sepse ne ishim në të njëjtin hotel”, ka thënë De Laurentiis për Sky Sport Italia.
“Unë e ftova atë për darkë me bashkëshorten dhe fëmijët e tij dhe kaluam mrekullueshëm. Do të ishte dëshira ime ta shohë atë me fanellën e Napolit. Është më shumë sesa një sugjerim dhe gjithçka varet nga ai. Kemi folur për këtë që disa muaj tani”.
Ibrahimovici i ka shënuar 30 gola në po aq ndeshje të zhvilluara në MLS gjatë vitit 2019, duke i ndihmuar skuadrës së tij ta arrijë fazën e play-offs.