Konfirmohet ftesa e Kosovës për Muriqin, La Liga kërkon shtyrjen e ndeshjes së Mallorcas

Prishtinë | 04 Nën 2023 | 15:08 | Nga Ekonomia Online

Ndeshja mes Mallorcas dhe Cadizit mund të shtyhet shkaku i Vedat Muriqit dhe Kombëtares së Kosovës.

Më 12 nëntor, Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e mbetur ndaj Izraelit, e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian “Euro 2024”, shkruan Gazeta Express.

Kjo ndeshje ishte e paraparë që të zhvillohet më 15 tetor, por që u shty shkaku i situatës që u krijua pas konfliktit mes Izraelit e Palestinës.

Kësisoj, me datën e re – 12 nëntor – të caktuar nga FIFA me koordinim me UEFA-n, ndeshja i bie në fundjavën e fundit që zhvillohet në ligat evropiane, para pauzës ndërkombëtare.

Pikërisht në këtë datë është e paraparë që të zhvillohet ndeshja mes Mallorcas dhe Cadizit, e vlefshme për javën e 13-të në elitën e futbollit spanjoll.

Por, kjo ndeshje mund të shtyhet për një datë tjetër.

La Liga ka kërkuar nga Komisioni i Garave i Federatës Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF) që të shtyjë këtë ndeshje.

Kjo kërkesë se është bërë për shkak se Kosova takohet me Izraelin në të njëjtën ditë, teksa La Liga konfirmoi se Muriqi është ftuar nga Primoz Gliha për këtë ndeshje. La Liga gjithashtu kritikoi FIFA-n për marrjen e këtij vendimi, pa konsoltim me ligat përkatëse.

“LALIGA, pasi klubet e prekura janë informuar, i ka kërkuar komisionit të garave të RFEF që të shtyjë ndeshjen RCD Mallorca-Cádiz CF në xhiron e13-të, të planifikuar fillimisht për të dielën, më 12 nëntor, si pasojë e zgjatjes së periudhës ndërkombëtare të vendosura në mënyrë të njëanshme nga FIFA. Ashtu siç ka ndodhur në vitin 2021 me periudhën ndërkombëtare për ekipet e CONMEBOL-it, FIFA, në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë marrëveshje paraprake me ligat vendase, ka vendosur të zgjasë me tre ditë periudhën ndërkombëtare për lojtarët e kombëtares së Izraelit dhe Kosovës, të cilët duhet të kompletojnë ndeshjen e tyre të shtyrë në tetor. Kjo periudhë u vendos fillimisht nga data 13 deri më 22 nëntor dhe tashmë është zgjatur nga data 10 në 12 nëntor për lojtarët e këtyre dy skuadrave, duke përkuar me xhiron e 13-të të LALIGA. RCD Mallorca ka marrë njoftimin për një thirrje përfundimtare për lojtarin e saj, Vedat Muriqi, për të luajtur në ndeshjen Kosovë-Izrael, e cila ndikon në ndeshjen RCD Mallorca-Cádiz CF. Për të gjitha këto arsye, siç u bë në vitin 2021 me zgjatjen për skuadrat CONMBEOL, pas bisedës me klubet e prekura dhe me synimin për të ulur ndikimin e kësaj situate në kompeticion, LALIGA ka kërkuar në ditën e sotme shtyrjen e ndeshjes RCD Mallorca-Cádiz, në një datë ende për t’u përcaktuar. LALIGA shpreh keqardhjen që edhe një herë FIFA merr këto lloj vendimesh për kalendarin pa marrë parasysh apo pajtuar me ligat e brendshme”, thuhet në njoftimin e La Ligas.

Të ngjashme