Konfirmohet lirimi i Tomor Morinës

Prishtinë | 14 Gus 2019 | 17:37 | Nga Ekonomia Online

Ish ushtari i UÇK-së Tomor Morina, i cili po mbahej në paraburgim tash e dy javë nga policia maqedonase është liruar sot.

Kjo është bërë e ditur nga ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, përmes një postimi në Facebook.

Dedaj ka falënderuar institucionet e Shkupit për bashkëpunim.

“Lirohet Tomor Morina, e drejta triumfon. Tomor Morina, ish-ushtar i UÇK-së, është liruar sot nga burgu, ku po mbahej pas ndalimit në pikën kufitare Bllacë Hani i Elezit, nga policia e Maqedonisë së Veriut në bazë të një flet-arresti të INTERPOL-it. Falënderojmë institucionet e Shkupit zyrtar, drejtorinë e burgut Shutka, për bashkëpunimin me institucionet dhe ambasadën e Republikës së Kosovës, për lirimin e Tomor Morinës”, ka shkruar Dedaj.

Gjykata Supreme e Maqedonisë se Veriut ka vërtetuar vendimin e Këshillit Penal për krim të organizuar dhe korrupsion pranë Gjykatës Penale Shkup, se nuk janë përmbushur kushtet për ekstradimin Morinës në Serbi.

Tomor Morina ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, në bazë të një fletarresti të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.  

Të ngjashme