Në Bosnjë dhe Hercegovinë, më saktësisht në territorin e Republika Srpska, është konfirmuar rasti i parë i infeksionit me coronavirus, kanë konfirmuar autoritetet shëndetësore.
Lidhur me këtë, sipas mediave lokale, përcjell Telegrafi, ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Alen Seranic do t’i drejtohet publikut në një konferencë për shtyp.
Deri më tani, në Federatën e BeH nuk është regjistruar asnjë rast i sëmundjes së coronavirusit të ri (covid-19), por 259 persona janë nën mbikëqyrjen mjekësore ose epidemiologjike për shkak të arsyeve paraprake, njoftoi Ministria Federale e Shëndetësisë.
Përndryshe, Këshilli i Ministrave i BeH do të zhvillojë një seancë të jashtëzakonshme sot, e dyta me radhë. Ekzistojnë vetëm dy çështje në rendin e ditës: coronavirusi dhe migrantët.
Rajoni i Ballkanit Perëndimor është në fokus të veçantë për shkak të përhapjes së coronavirusit në Itali.
Qeveria italiane ka vendosur të mbyllë të gjitha shkollat dhe universitetet në vend deri në mes të marsit për shkak të epidemisë së coronavirusit dhe numrit në rritje të njerëzve të prekur nga sëmundja.