Konfiskohen cigare në vlerë mbi 110 mijë euro në veri

Prishtinë | 07 Dhj 2023 | 11:57 | Nga Ekonomia Online

Policia Kufitare e Kosovës i ka arrestuar dy persona në rrugën magjistrale Mitrovicë-Jarinje, e të cilët me një automjet po bartnin në mënyrë ilegale cigare në vlerë prej 113 mijë eurosh.

Rasti thuhet se ka ndodhur me datën 06.12.2023 rreth orës 21:10 në rrugën magjistrale Mitrovicë – Jarinje, konkretisht në fshatin Bistricë të komunës së Leposaviqit.

Njësitë kompetente policore kanë ndaluar automjetin e lartcekur, “në të cilin ishin të ngarkuara rreth 6850 boksa të cigareve të 11 llojeve të ndryshme në vlerë rreth 113.000 euro (njëqind e trembëdhjetë mijë euro)”.

Policia ka thënë që pas konsultimit me prokurorin e shtetit, rasti është cilësuar si “tregti e ndaluar” dhe malli i është dorëzuar Doganës së Kosovës.

Në njoftim thuhet se janë intervistuar dy personat e dyshuar meshkuj kosovarë të cilët dyshohet se kanë pasur për qëllim shitjen e mallit në mënyrë ambulantive në pika të ndryshme të shitjeve në Leposaviq dhe Leshak, “mall i cili pas verifikimit ka rezultuar me banderola të Republikës së Kosovës”.

Të ngjashme