Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, për shkaqe objektive është shtyrë gjykimi ndaj të akuzuarës Saranda Kuçi, e cila si përmbaruese private në Suharekë, ka konfiskuar traktorin e personit të gabuar.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi tha se seanca e sotme për shkaqe objektive nuk do të mbahet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 15 dhjetor 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, më 29 korrik 2022, Saranda Kuçi po akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare të saj, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për procedurën përmbarimore ka urdhëruar përmbarimin duke e konfiskuar traktorin e tipit “Hurmilan-XA6062” në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xhavit Gegaj.
Në aktakuzë thuhet se, e akuzuara Kuçi ka urdhëruar konsfikimin e traktorit i cili nuk ishte pronë e të dëmtuarit Gegaj, por pronë e të ndjerit H.B nga Suhareka, të cilin e dërgon në pllacin ndërtimor të kreditorit Bajrush Gashi NPT “Loni” nga Suhareka.
Me këto veprime, Saranda Kuçi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.