U raportua mbrëmë për një incident që ndodhi në Arllat të Drenasit, në mes të disa personave, si pasojë e një mosmarrëveshje lidhur me një borxh. Konflikti nisi mes tre burrave të familjes Bujupi, njëri prej të cilëve përfundoi në ndalim policor, pasi dyshohet për kanosje.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Mehmet Bujupin, i cili u arrestua nga Policia, nën dyshimet se ka kërcënuar me armë S. Bujupin dhe B. Bujupin.
Sherri që plasi për shkak të borxhit ndodhi në orët e pasdites dhe Policia u njoftua menjëherë, me ç’rast disa njësi dolën në vendin e ngjarjes, për të marrë deklaratat e personave të përfshirë.
Zyrtarët policorë gjatë sigurimit të vendit të ngjarjes, afër shtëpisë së të dyshuarit Bujupi kanë gjetur një fishek, ndërkohë që arma të cilën e posedonte i dyshuari pa leje, është sekuestruar.
Përveç veprës penale për kanosje, ai do të hetohet edhe për armëmbajtje pa leje. Nën dyshimin e bazuar për këto dy vepra, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i njëjti të ndalohet për 48 orë dhe të dorëzohet kallëzim penal brenda afatit ligjor.