Tre persona janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Pukës pas një konflikti të ndodhur në fshatin Dedaj, ndërsa dy persona të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive pronësie mes dy familjeve fqinje.
Sipas njoftimit të Policisë, në pranga kanë rënë shtetasit I.Sh, 67 vjeç, F.Sh, 36 vjeç, djali i tij, si dhe G.I, 34 vjeç. Ndërkohë, materialet i janë referuar Prokurorisë dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. I., 60 vjeç, dhe bashkëshorten e tij F. I., 43 vjeçe, shkruan vizionplus.tv.
Nga veprimet hetimore rezulton se konflikti ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Dedaj, ku personat e përfshirë janë përplasur me njëri-tjetrin për shkak të mosmarrëveshjeve që lidhen me pronësinë. Gjatë konfliktit dyshohet se janë përdorur sende të forta dhe mjete prerëse.
Si pasojë e përplasjes mbetën të dëmtuar shtetasit I.Sh dhe G.I, të cilët u transportuan për mjekim në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe, sipas Policisë, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar sende dhe mjete që dyshohet se janë përdorur gjatë konfliktit, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.