Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, në ceremoninë shtetërore të varrimit të Afrim Bunjaku, policit të vrarë dje në veri, tha se dita e 24 shtatorit do të shënohet në historinë e Kosovës si dita kur Afrim Bunjaku ra dëshmor e u bë hero i Kosovës.
Konjufca ka thënë se Bunjaku ka rënë heroikisht ashtu sikurse parardhësit e tij, Osman e Shaban Bunjaku, raporton EO.
Ai u shpreh se Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës si oficer i denjë i Republikës në mbrojtje të lirisë e pavarësisë.
“Jemi mbledhur këtu në Samadrexhën e rezistencës, në Samadrexhën e Osman e Shaban Bunjakut, të cilët me pushkë në dorë luftuan kundër pushtetit jugosllav, e jemi mbledhur këtu për t’i dhënë lamtumirën stërnipit të tyre Afrim Bunjakut i cili ra heroikisht në ditën e djeshme pikërisht sikur paraardhësit e tij duke mbrojtur Kosovën, shtetin tonë, atdheun tonë të dashur, nga terroristët që hynë nga Serbia”.
“Dita e 24 shtatorit do të shënohet në historinë e Kosovës sikur dita kur Afrim Bunjaku ra dëshmorë e u bë hero i Kosovës, për ta ngritur shtetin tonë. Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës si oficer i denjë i Republikës në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës sonë”, u shpreh ai.
Konjufca tutje tha se Afrim Bunjaku dje e mbrojti Kosovën me jetën e tij.
“Rreshteri Afrim Bunjaku dje e mbrojti Kosovën me jetën e tij, ndërsa nga sot rënja e tij do t’i frymëzojë brezat e ardhshëm se si mbrohet atdheu”, u shpreh tutje ai.