Konjufca bën homazhe në Likoshan dhe Qirez

Prishtinë | 28 Shk 2024 | 17:46 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe dhe vendosi lule në kompleksin e varrezave të Likoshanit dhe Qirezit, në përkujtim dhe nderim të civilëve shqiptarë të vrarë e të masakruar nga forcat pushtuese serbe para 26 vjetëve.

Masakrën e Likoshanit dhe Qirezit kryetari Glauk Konjufca e cilësoi fillim të gjenocidit të shtetit të Serbisë mbi popullin e Kosovës, por njëkohësisht edhe fillimin dhe masivizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke kujtuar të rënët, kryetari i Kuvendit tha se ata ranë dhe u flijuan, por gjaku i tyre u bë liri dhe dritë për popullin e Kosovës.

Pas këtyre masakrave dhe akteve të gjenocidit, shtoi kryetari Konjufca, askush më nuk e vinte në dyshim se e vetmja rrugë për popullin e Kosovës ishte lufta dhe se burrat e gratë, djemtë e vajzat, ishin të gatshëm që me armë në dorë ta çlirojnë Kosovën.

“Do të nderohen dhe kujtohen gjithmonë të gjithë martirët e Republikës sonë, të cilët e dhanë jetën për lirinë e Kosovës, por edhe të gjithë dëshmorët që me armë në dorë e mbrojtën popullatën dhe i dolën përballë ushtrisë dhe policisë së Serbisë. Lavdi martirëve dhe dëshmorëve të kombit”, tha kryetari Glauk Konjufca.

Të ngjashme