Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se deklarata e tij e dhënë ditë më parë për trajnime të grupeve terroriste në Serbi dhe rreziku që ata mund të destabilizojnë Kosovën, nuk ka pasur për qëllim frikësimin e popullit por për të njoftuar bashkësinë ndërkombëtare në mënyrë që të ndëshkohet Serbia, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se Kosova kurrë nuk ka qenë me e sigurt dhe se institucionet e sigurisë janë stabile edhe të gatshme me ju kundërvu çfarëdo tendence që vjen nga Serbia.
“E dinë e gjithë shoqëria jonë, e dinë e gjithë bashkësinë ndërkombëtare që Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Prej këtyre pretendimeve ajo nuk ka hequr dorë kurrë. Po të njëjtën kohë edhe Kosova kurrë nuk ka qenë më e përgatitur për me ju përgjigj çfarë do sfidave të sigurisë, kështu që populli i Kosovës duhet me qenë i sigurt, askush nuk i thotë këto deklarata për me i friksu a po për me shkaktua ndonjë panik. Populli i Kosovës është shumë i qetë, populli i Kosovës beson në shtet, populli i Kosovës dhe shoqëria jonë besojnë në institucionet tona efektive për me ju kundërvu çfarë do tendence të Serbisë për me destabilizu Kosovën, kështu ka qenë dhe kështu do të jetë gjithmonë”, ka thënë Konjufca.
Kryeparlamentari ka thënë se ekzistojnë grupe kriminale që synim kanë destabilizimin e Kosovës dhe të strehuara në Serbi.
“Për që ka grupe të cilat e kanë për synim për me destabilizuar Kosovën, ato ne nuk mundemi me rrejt e as me mashtru kërkon. Ato ekzistojnë janë të strehuara në Serbi. Sa i përket brenda Kosovës situata kurrë nuk ka qenë më në kontroll. Grupe nga brenda Kosovës të cilat munden me destabilizuar Kosovën kurrë nuk kanë qenë më të dobëta dhe janë në shpartallim e sipër. Prej Serbisë ku ushtrojnë ata, ku marrin armët ku gjejnë strehim ato janë të konfirmuara edhe prej institucioneve tona të sigurisë. E institucionet tona të sigurisë na i bartin neve krerëve të shtetit dhe na tregojnë që ato grupe ekzistojnë. Ku ekzistojnë, ku trajnohen dhe cili është qëllimi i tyre”, u shpreh tutje Konjufca, teksa ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare ta ndëshkojë Serbinë për tendencat për destabilizim të Kosovës.
“Këto nuk i themi për me shkaktuar frikë, i themi me e kuptua më mirë të vërtetën. Ne nuk ja themi popullit tonë, unë nuk jam duke folur për popull, jemi duke folur për bashkësinë ndërkombëtare. Bashkësia ndërkombëtare duhet me ndëshkuar Serbinë. Ju i patë statistikat për 6 për qind është rritur numri i të huajve që vijnë në Kosovë dhe turistëve do të rritet edhe më shumë, Kosova është shumë e sigurt, institucionet janë stabile edhe të gatshme me ju kundërvu çfarëdo tendence që vjen nga Serbia”.
Po ashtu kryeparlamentari Konjufca e cilësoi si “shumë të mirë” deklaratën e ndihmëssekretarit, James O’Brien, se “Kosova sikur të gjitha vendet e tjera ka të drejtë të mbrojë territorin e saj”.
Konjufca tha se kjo është ajo për të cilën kanë nevojë – që të mirëkuptohen.
“Shumë ishte e mirë. E përgëzojmë një deklaratë të tillë. Është ajo që gjithmonë jemi munduar ta shpjegojmë, na ka gëzuar tejmase sepse është një mirëkuptim për atë që po e bëjnë institucionet e Kosovës. Institucionet e Kosovës nuk janë kundër asnjë komuniteti në Kosovë, asnjë civili në Kosovë. Institucionet janë demokratike dhe e zbatojnë sundimin e ligjit në atë pjesë të territorit. Por, kush do me iu dalë përballë institucioneve dhe me dhunë ta sfidoj autoritetin e institucioneve të Kosovës, ne do të veprojmë sipas ligjeve. Kjo është qasja e Kosovës. Dhe këtë ne kemi nevojë të mirëkuptohet nga bashkësia ndërkombëtare dhe jo të na kritikojnë, jo të na goditin. Por të kuptojnë që kjo nuk është për të keq. Kjo është për të konsoliduar shtetin, për të forcuar sovranitetin dhe për ta vendosur sundimin e ligjit në atë pjesë që nuk ka ekzistuar për 24 vjet. Kjo s’duhet ta frikësojë askënd”, ka thënë sot Konjufca.
O’Brien në një deklarim për mediumin serb “Tanjug” tha se Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e saj dhe se këtë po e bën në një proces transparent.
“1244 ka vendosur një proces politik për të diskutuar të ardhmen e Kosovës. Ky proces eci dhe rezultoi me pavarësinë e Kosovës. Kështu që Kosova sikur të gjitha vendet e tjera ka të drejtë të mbrojë territorin e saj. Kosova po e bën një gjë të tillë në një proces që është transparent dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë si një mënyrë për të siguruar mbrojtjen e saj pa kërcënuar fqinjët e saj. Kështu që mendoj se në përgjithësi është një lëvizje drejt stabilitetit të rajonit. Dhe që ne do të vazhdojmë ta përkrahim nga SHBA”, ka thënë O’Brien.
Këtë deklaratë dje e ka ndarë edhe ambasada amerikane në Kosovë.