Kryetari i Kuvendit, njëherësh anëtar i kryesisë së VV-së, Glauk Konjufca, tha se e ka të vështirë t’i drejtohet Albin Kurtit si kryeministër, raporton Ekonomia Online.
“Pak gjëra në jetë më duken të vështira por më së vështiri e kam me i tha kryeministër, se me i thënë kështu po më duket më pak se me i thënë Albin. Po e festojmë vitin e 16 të VV-së që koincidon me 22 vjetorin e çlirimit të Kosovës. Jemi thellua në veprimtari dhe aksion e sipër kundër administratës së UNMIK-ut. Ka kalu një kohë e madhe që nuk kam qenë këtu dhe kam nostalgji”.
Këtë e tha në konferencën e Lëvizjes Vetëvendosje, në 16-vjetorin e themelimit, ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Albin Kurti.
“Po më kujtohet që gazetarët shpesh ne derisa dilnim na linin dhe iknin kur vini për të na arrestuar. Ende e mashtroj vetën se jam i ri mirëpo po e vërtetojë që jam njëfarë veterani e po e vërej që vetëm një prej juve gazetarëve po e njoh”.
“Është me rëndësi sepse konsideroj që LVV është një trashëgimi interesante politike e popullit të Kosovës. Njerëzit që janë bashku në LVV janë qytetarë që kanë qenë me halle e kanë pasë shumë probleme. Ne kemi qenë të vetëdijshëm që i përkasim një përpjeke shumë të gjatë të popullit të Kosovës për të qenë rehat në tokën e vet”.