Konjufca e Kurti kërkojnë drejtësi për Masakrën e Mejës

Mejë | 27 Pri 2023 | 13:49 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kryeparlamentari Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Lëndina e pikëllimit” në 24-vjetorin e masakrës së Mejës, raporton Ekonomia Online.

Nga aty, Kurti e Konjufca kërkuan drejtësi për të vrarit në këtë masakër. Kurti më tej tha se kanë iniciuar anëtarësim në Komisionin ndërkombëtar për persona të zhdukur dhe pret që kjo  nismë të miratohet edhe në Kuvend.

“24 vjet më vonë nuk kemi drejtësi e rehabilitim për familjarët e popullit tanë. Dje në mbledhjen e Qeverisë e iniciuam aderimin në Komisionin ndërkombëtar që është për persona të zhdukur dhe në Kuvend do të ratifikohet që në këtë organizatë të bëjmë hapa në gjetjen e personave të zhdukur me dhunë”, tha Kurti.

“Në mesin e të vrarëve janë edhe 11 nxënës dhe 20 arsimtarë, pra janë vrarë pa dallim gjinie e feje, ju shihni varret d myslimanëve e katolikëve, të cilët ishin vrarë vetëm pse ishin shqiptarë”, tha Kurti.

E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se nga aparati shtetëror serb në Mejë u vrarë 377 shqiptarë.

Sipas tij, është e qartë përgjegjësia e Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, por që ka munguar drejtësia për viktimat, raporton EO.

“Jemi këtu së bashku me kryeministrin për ta kujtuar përvjetorin e aktit më të madh të gjenocidit që ka ndodhur në vendin tonë që është masakra e Mejës, ku 377 shqiptarë janë ekzekutuar mizorisht prej forcave të ushtrisë dhe policisë serbe”.

“Kjo ditë është dita e të zhdukurve me dhunë, ku fillimisht do të flasim për atë që e ka bërë këtë masakër shtetin e Serbisë. Në çdo segment është e qartë urdhërdhënia, është e qartë përgjegjësia komanduese brenda aparatit shtetëror, prandaj duhet ta specifikojmë se përgjegjësi dihet, ajo që ka munguar është drejtësia që ka munguar në vendin tonë”.

Të pranishëm ishin edhe disa ministra të kabinetit qeveritar.

Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Bashkë me kryetarin e Kuvendit të Republikës dhe me deputetë e ministra, erdhëm këtu që të ndajmë dhembjen, pikëllimin por gjithashtu të shprehim edhe mirënjohjen tonë të thellë me nënat, me motrat me baballarët me vëllezërit, me fëmijët edhe me gjyshërit, gjyshet e atyre të cilët u vranë para 24 vjetëve në mënyrë mizore nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. 24 vjet më vonë nuk kemi ende drejtësi dhe nuk kemi ende rehabilitim për familjet e viktimave dhe për mbarë popullin tonë.

Dje në mbledhjen e Qeverisë e inicuam aderimin në ICMP që është komisioni ndërkombëtar për personat e Zhdukur dhe në kuvend të Republikës do të ratifikohet në mënyrë që në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare ne të bëjmë hapa drejt zbardhjes së fatit të të pagjeturve, të atyre që u zhdukën me dhunë, që u rrëmbyen me forcë duke kërkuar edhe të vërtetën, edhe përgjegjësinë pra drejtësinë. Në vitet e kaluara në policinë e Kosovës hetimet për krimet e kryera gjatë luftës kanë qenë vetëm një sektor në kuadër të drejtorisë së krimeve të rënda ndërkaq tash e kemi bërë drejtori të veçantë në kuadër të policisë së Kosovës, atë që duhet të adresojë, të hetojë, të hulumtojë, zbulojë krimet e kryera gjatë luftës dhe të mundësojë kapjen e kriminelëve, duke e rritur njëkohësisht numrin e zyrtarëve nga 19 në 41. Pra, është më shumë se sa dyfishim, më saktësisht është mbi 115 për qind rritje e numrit të zyrtarëve hetues në Policinë e Kosovës, përveç se një sektor në kuadër të Drejtorisë së Hetimeve për Krime të Rënda, tash është drejtori i veçantë për hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës.

Gjithashtu e kemi shtuar buxhetin edhe për Prokurorinë, duke i shtuar edhe 4 prokurorë, 6 bashkëpunëtorë profesionistë dhe dy përkthyes dhe 50 pozita të reja edhe për përgjithësi Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Në mesin e të vrarëve këtu në Meje janë edhe 11 nxënës e 20 arsimtarë, pra, janë vrarë shqiptarët pa dallim moshe, pa dallim gjinie, pa dallim prejardhjeje, pa dallim feje. Ju këtu i shihni varret bashkë të myslimaneve e të katolikëve vetëm dhe vetëm pse ishin shqiptarë.

Shqiptarët ishin bashkë edhe në luftë çlirimtare, por ata u vranë bashkë edhe prej forcave gjenocidale të Serbisë dhe tash ne i kujtojmë me mall e dhembje si martirë e dëshmorë të kombit tonë.

Në Kuvendin e Republikës, e kemi kaluar tashmë në lexim të parë, do të kalohet edhe në lexim të dytë Projektligji për Institutin për Dokumentimin dhe Hulumtimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës. Ndërkaq, në diskutim publik, do të vendoset gjithashtu edhe Strategjia Kombëtare për Drejtësinë Tranzicionale.

Institucionet e shtetit, mekanizmat e Republikës për drejtësi, duhet ta dëshmojnë veten më së shumti e më së pari pikërisht në rastet e krimeve të kryera gjatë luftës, për shkak se po kalon dhe dëshmitarët e këtyre ngjarjeve po mplaken dhe shumë prej tyre po ndërrojnë jetë dhe, gjithashtu edhe faktet materiale, evidenca materiale po vjetrohet dhe bëhet gjithnjë e më e vështire ruajtja e konservimi.

Mbi 950 shqiptarë janë eksumuar nga 5 varreza masive në Serbi, 744 prej tyre vetëm në Batajnicë në periferi të Beogradit, ku të shtunën që shkoi e mbajtën një paradë ushtarake për të vazhduar kërcënimet për paqen edhe për sigurinë në rajon.

Ne kërkojmë pra këmbëngulësinë dhe aktivitetin dhe efikasitetin e sistemit tonë të drejtësisë, por gjithashtu edhe mbështetjen ndërkombëtare për këto krime të pazbardhura, të patrajtuara e të cilat kërkojnë përgjigje sa më parë, për shkak se ankthi është më i madh se pikëllimi, ndërkaq edhe zemërimi jo vetëm i familjarëve është më i madh sesa vajtimi, sesa lotët, që i shihni në këtë vend këtu, që refuzon të harrojë.

Ne nuk e trajtojmë këtë si një çështje historie, por si një çështje të jetës sonë të këputur, megjithëse të gjithë këta të rinj e të reja, fëmijë të vrarë, sot do të kishin familjet e tyre, sot do të vazhdonin jetën dhe do ta gëzonin lirinë, e cila i ka rrënjët në gjakun edhe në sakrificën e martirëve dhe dëshmorëve të kombit.

Të ngjashme