Konjufca: I pavdekshëm qoftë kujtimi për aktivistët, Arben Xheladini e Mon Balaj

Prishtinë | 10 Shk 2022 | 13:27 | Nga Ekonomia Online

Kryekuvendari Glauk Konjufca bashkë me kryeministrin Albin Kurtin dhe me deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe familjarë të Mon Balaj dhe Arben Xheladinit, kanë vendosur lule mbi pllakën përkujtimore që mban emrin e këtyre të fundit, në shenjë kujtimi në përvjetorin e rënies së tyre.

“Sot për të pesëmbëdhjetën herë po e shënojmë përvjetorin e vrasjes së aktivistëve të Lëvizjes VETEVENDOSJE!, Arben Xheladini dhe Mon Balaj nga policia e UNMIK-ut. Arbenin dhe Monin largësia e kohës i bën gjithnjë e më të mëdhenj, sepse kanë hyrë në kujtesën tonë si mishëruesit dhe përfaqësuesit e vlerave më të larta të lirisë, barazisë dhe demokracisë – si simbole të përsosmërisë së moralit politik, idealit, guximit qytetar, shpirtit vetëmohues dhe vizionit të qartë”.
Konjufca tutje tha që në këtë ditë na bashkon “kujtimi dhe nderimi për këta pishtarë të sakrificës dhe të zgjimit qytetar karshi padrejtësive dhe rrezikimit të aspiratave të popullit tonë, virtyte këto që duhet të na shërbejnë të gjithëve si frymëzim dhe motivim, vullnet pune e përkushtim në të mirë të Republikës”.
“I pavdekshëm qoftë kujtimi për aktivistët e pavdekshëm, Arben Xheladini e Mon Balaj”, u shpreh Konjufca.

Të ngjashme