Kryesia e Kuvendit ka proceduar për në seancë marrëveshjen për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.
Në konferencën për medie pas takimit të Kryesisë, deputeti nga Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se përmes kësaj marrëveshje shkelet integriteti territorial i Kosovës dhe se i vetmi fat në këtë fatkeqsi është që do të shqyrtohet edhe raporti i komisionit shtetëror të Bulliqit, raporton Ekonomia Online.
“Përmes kësaj marrëveshje shkelet integriteti territorial i Kosovës, të gjeturat e komisionit shtetëror janë të sakta. Komisioni na ka tregu që kemi të bëjmë me gabime themelore, dhe si rezultat i punës së gabueshme të komisionit Meha e cila është nënshkruar nga kryeministri i athershëm Thaçi. I vetmi fat në fatkeqësi është se pjesë integrale e raportit që do të jetë edhe shqyrtimi i raportit të komisionit shtetëror të Bulliqit, aty shkruan mos e nënshkruani këtë marrëveshje”, tha Konjfuca.
Sipas tij Vetëvendosja do ta kundërshtojë këtë marrëveshje dhe se kjo marrëveshje nuk do të jetë obligative për Malin e Zi.
Deputeti Konfjufca tha se nesër do të votohet vetëm teksti i marrëveshjes së dy presidentëve.
I pyetur nga gazetarët se çka do të ndërmerr Vetëvendosje si parti opozitare, ai ka thënë se janë në diskutime të brendshme të partisë dhe se ende nuk kanë vendosur për hapat të cilat do të ndërmerren.