Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se bllokimi i seancave të Kuvendit nga opozita do të ishte vetëm në dëm të Republikës. Për këtë, kryeparlamentari ka kërkuar që mos të ketë bllokada, raporton Ekonomia Online.
Kreu i Kuvendit, ka thënë se në sesionin vjeshtor pret që seancat të mbahen, siç ka thënë, në formën normale.
Ai ka thënë se bllokimi i seancave në sesionin vjeshtor nuk do ta dëmtonte as mazhorancën e as kryeministrin Albin Kurti, por vetë shtetin.
“Shpresoj që nuk do të ketë bllokim të seancave. Unë jam optimist që Kuvendi do të mund të punojë në formën e vetë normale, që do të krijohen kushtet për punë, sepse kjo është, le të themi, parakusht demokratik i shtetit tonë”.
“Nëse parlamenti bllokohet atëherë bllokohet vetë shteti, me bllokimin e parlamentit nuk e keni bllokuar mazhorancën, me bllokimin e parlamentit bllokohet Republika, nuk bllokohet Albin Kurti as Vetëvendosja e as mazhoranca”.
“Së pari bllokohet Kosova, shteti i Kosovës, kjo do të ishte dëm i madh dhe unë po mendoj që as opozita nuk e ka këtë qëllim”, ka thënë Konjufca pas homazheve tek Memoriali për të Pagjeturit, me rastin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve.
Ndërkaq i pyetur iniciativën e opozitës për rrëzim të Qeverisë, Konjufca dha një përgjigje interesante.
“Qeveria Kurti në shtëpi është, është në shtëpinë e vetë. Këtu është shtëpia e qeverisë, prapa teje”, deklaroi Konjufca.
Konjufca: Serbia po e mban peng integrimin e rajonit në BE, po krijon destabilizim për shtetet tjera
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Serbia po e mban peng sigurinë e rajonit dhe po krijon destabilizim për shtetet tjera, raporton Ekonomia Online.
Sipas Konjufcës, me fajin e Serbisë është vonuar integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian.
Kryeparlamentari ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që ta kuptojë politikën e Serbisë, me ç’rast ka thënë se ka probleme me gjithë fqinjët e saj.
“Mendoj që po të mos ishte i gjithë rajoni peng i Serbisë, e cila nuk është rehat me kufijtë e vet, dhe e cila i destabilizon edhe të gjitha shtetet e tjera, jo vetëm Kosovën por edhe Bosnjën edhe Malin e Zi, unë mendoj se po të mos ishte kjo Serbi e tillë, rajoni do të hynte në BE në vitin 2025, nuk ka nevojë në vitin 2030 fare, por ajo e mban peng të gjithë procesin sepse më së pari e mban peng sigurinë e gjithë rajonit, pastaj dialogun për shkak të kësaj”.
“Pozicionimi i Serbisë lidhet e gjitha me bisedimet me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve. Ajo nuk është e gatshme për normalizimin e marrëdhënieve dhe a po e shihni; rezultati është që vazhdimisht po shtyhet nga pesë vite procesi i integrimit. Domethënë bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptojë që me këtë Serbi e cila ka problem me të gjithë fqinjët e vetë, me secilin prej tyre, nuk mund të ketë integrime të shpejta, por për këtë duhet të identifikohet përgjegjësi, që është shteti i Serbisë”, ka thënë Konjufca.