Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca në emisionin “Desku” të KTV-së ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur mbrëmë e ka dëmtuar shumë Kosovën në arenën ndërkombëtare, derisa thekson se me një gjë të tillë LDK-ja e dëmtoi Kosovën e jo Vetëvendosjen.
“Kjo situatë në arenën ndërkombëtare e dëmton pamasë shtetin e Kosovës. Jemi vendi i vetëm që në kohë koronavirusi marrim mocion mosbesimi. Këtu LDK-ja dëm i ka bërë Kosovës e jo Vetëvendosjes apo Albin Kurtit. Krejt lajmet në mediat botërore sot ishte se si është e mundshme që kjo me ndodhë”, ka thënë Konjufca.
Ai tutje ka thënë se nuk kanë mundur t’i kthejnë të gjithë qytetarët për shkak të numrit të madh të tyre e kapaciteteve të vogla të Kosovës për t’i karantinuar.
“I kemi kthyer qytetarët së bashku në mënyrë të organizuar, nuk kemi mundur t’i kthejmë të gjithë. Rreth 3 mijë persona janë jashtë, e për ne është numër i madh. Kemi ardhur në përfundim që kjo të bëhet në faza-faza. Ju kërkoj falje atyre që janë ndjerë të anashkaluar, por kjo ka të bëjë me kapacitetet tona që kemi për karantinim. Ata po kthehen vazhdimisht, e këtu kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me Abdixhikun”, u shpreh Konjufca.
Ai ka folur për shkarkimin e 14 konsujve, dhe kthimin e 7 ambasadorëve.
“Së pari e kam marrë vendimin për kthimin e 14 konsujve të paligjshëm. Kur e kam bërë listën kanë dalë që janë shtatë. Një vendim tjetër që kam marrë e që se kam marrë publike është për shkak të koronavirusit, porse gjithashtu është procedurë e brendshme e jona. Koha ka qenë dy muaj për kthimin e shtatë ambasadorëve. Ka pasur deklaratë të presidentit, i cili ka thënë se ata e vazhdojnë punën. Ajo që ka bërë veprim shumë të mirë është Vlora Çitaku, kthimi i saj nuk ka lidhje me performancën e saj, por i ka përfunduar mandati. Me gjithë respektin për punën e saj. Është e rrezikshme me thënë ke qenë shumë e mirë dhe qëndro atje duke e shkelur ligjin. Presidenti s’ka të drejtën e vetos mbi vendimet e mia”, tha Konjufca.
Ai tutje ka sqaruar se çfarë ndodhi me mos njohjen nga Xhamajka, që presidenti Thaçi dhe Konjufca e kishin shpallur atë.
“Me mosnjohjen e Xhamajkës ka qenë kështu. Çitaku e ka thirrur presidentin, ajo është dashur të më thirrtë mua, por kjo nuk është jashtë standardit dhe skandaloze. Presidenti është ngutë dhe pa e shqyrtuar një procedurë e cila është posedimi i notës verbale, në Tëitter postoi urime njohjen. Në momentin që ka dalë kjo nga presidenti unë kam marrë një mesazh nga drejtori i Përgjithshëm i MPJ-së, mesazhi thotë se Xhamajka na ka njohur. Praktika e deri tashme thotë se gjithmonë lajmëruesi i njohjes, këtë rast ambasadorja e ka notën verbale të njohjes. Kështu që në këto momente e ka thënë presidenti dhe e kemi konfirmuar se ka folur me ambasadoren ne e kemi marrë si të mirëqenë”, ka deklaruar Konjufca.
Ai tutje thotë se ka qenë shumë e pamundur të kontaktojë me Ministrin e Jashtëm të Xhamajkës për të sqaruar këtë çështje.
“Sipas krejt informatave që kemi ajo nota verbale që ia ka dërguar Serbisë është e vërtetë. Nëpërmjet të gjitha kanaleve diplomatike që unë jam përpjekur të vë kontakt me ministrin e Punëve të Jashtme të Xhamajkës për mua ka qenë e pamundur. Ata kanë qenë shumë të mbyllur”, tha ai.
Konjufca thotë se Kosova ka 116 njohje.
“Është shumë problematike (çështja e notave verbale të njohjeve) pasi qasja e ministrave paraprak ka qenë problematike pasi nuk është ndjekur një rrugë zyrtare të notave verbale të njohjes. Numri i njohjeve të Kosovës, përmes asaj që janë në formë të deklaratave të ministrave, është 116. Por, mendoj se nuk mund të ketë më shumë se 112 nota verbale të njohjeve”, ka thënë Konjufca.