Pesë ministra – Albulena Haxhiu, Arbërie Nagavci, Xhelal Sveçla dhe Liburn Aliu – kanë aktakuza aktive. Me akuza përballen edhe nëntë përfaqësues të popullit – Glauk Konjufca, Mimoza Kusari, Valon Ramadani, Jetmire Vrenezi, Salih Zyba, Fitore Pacolli, Drita Millaku, Pal Lekaj, Xhavit Haliti.
“Betimi për Drejtësi” ka përmbledhur aktakuzat ndaj zyrtarëve të shtetit dhe fazën në të cilën gjenden lëndët e 16 pushtetarëve.
Në nivelin lokal janë tre kryetarë komunash që janë duke u përballur me procedura ligjore. Është Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe ai i Kamenicës, Kadri Rahimaj dhe i Klinës, Zenun Elezaj
Shefja e arsimit ngarkohet se posedoi sprej në Parlament
Ministrja aktuale e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), shumë shpejt pritet të dalë para gjykatës, për t’u ballafaquar me akuzën për armëmbajtje pa leje.
Aktakuza ndaj ministres Nagavci rezulton të jetë ushtruar në gjykatë më 30 korrik 2019, mirëpo gjykimi ndaj saj ende nuk ka filluar edhe pas kalimit të pothuajse tre viteve nga data e ngritjes së aktit akuzues.
Ajo po akuzohet se më 21 mars të 2018-ës, gjatë mbajtjes së seancës në Kuvendin e Kosovës, në të cilën ishte hedhur gaz lotsjellës, gjatë kontrollimit nga policia asaj i ishte gjetur një sprej ngjyrë e gjelbër me pjesë spërkatëse të zezë.
Fillimisht, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatësit të Departamentit të Përgjithshëm në Divizionin Penal të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ertan Sejfulla, mirëpo i njëjti përmes një akti përcjellës të 2 marsit 2020, këtë lëndë e kishte përcjellë në Departamentin për Krime të Rënda.
Kurse, sipas programit të SMIL-it, lënda i ishte ndarë në punë gjyqtarit Agim Kuçi, i cili kishte kërkuar përjashtimin e tij nga trajtimi i këtij rasti, me arsyetimin se ai më parë në këtë çështje kishte ndërmarrë veprime si gjyqtar i procedurës paraprake. Kjo kërkesë, më pas ishte aprovuar nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama.
Aktualisht kjo lëndë po trajtohet nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Arbërie Nagavcin po e akuzon se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.
Ministri Xhelal Sveçla me 12 të tjerë akuzohen për pjesëmarrje në turmë
Ministër tjetër, që është duke u ballafaquar me drejtësinë është edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili së bashku me 12 të tjerë po akuzohen se në qershor të vitit 2013 kishin hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe e mjete piroteknike, në drejtim të pjesëtarëve të Policisë, ku ishin lënduar lehtë katër policë. Këto veprime, të pandehurit thuhet se i kishin bërë për të kundërshtuar marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Sipas kësaj aktakuze të ngritur në mars të vitit 2014, rezulton se të akuzuar për këtë vepër penale krahas ministrit Sveçla janë edhe Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj.
Gjykimi lidhur me këtë rast nuk ka filluar ende, ani pse kanë kaluar 8 vite që kur është ushtruar aktakuza. Për të nisur ky gjykim, më 10 gusht 2021 dhe 3 shkurt 2022, ishin caktuar dy seanca, mirëpo të dyja kishin dështuar të mbaheshin në mungesë të ministrit Sveçla dhe disa prej të akuzuarve.
Në seancën e 3 shkurtit të këtij viti, gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sjelle me detyrim ndaj ministrit Sveçla, mirëpo më pas, përmes një komunikate për medie, Gjykata Themelore në Prishtinë, tha se ministri Sveçla ishte ftuar në mënyrë të rregullt dhe se nuk ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë. Ndërsa, seanca e radhës ishte shtyrë për kohë të pacaktuar dhe e njëjta akoma nuk është caktuar.
Prokuroria e ngarkon ministrin Sveçla dhe të akuzuarit tjerë se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” nga neni 412, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 4 të KPRK-së, vepër kjo për të cilën dënimi parashihet me gjobë prej 200 deri 10 mijë euro për huliganizëm me pasoja të vogla ose me burgim deri në 5 vjet burgim për huliganizëm me pasoja të rënda.
Ndërsa, dispozitivi i dytë i kësaj aktakuze, Bekim Shkodrën e ngarkon edhe për veprën penale të “Sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410, paragrafi 2 të KPRK-së, vepër kjo e cila dënohet me burgim prej 6 muaj deri në pesë 5 vjet.
Ministri Sveçla dhe tre deputetët e Vetëvendosjes të akuzuar për gaz lotsjellës
Ndaj Ministrit Xhelal Sveçla rëndon edhe një akuzë tjetër, ku ai dhe tre deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare. Si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.
Për të njëjtit, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë, të cilët i ngarkon me nga dy vepra penale. Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzohen për përdorim të armës nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, për pengim të deputetëve të Kuvendit të Kosovës në kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej 3 muaj deri në 3 vjet.
Gjykimi ndaj ministrit dhe të tjerëve nuk ka filluar akoma, edhe pse kanë kaluar tre vite prej kur është ushtruar kjo akuzë nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Kjo lëndë po trajtohej nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hanefi Jashari, mirëpo ky i fundit në mars të këtij viti ka arritur moshën e pensionimit.
Ministrja Albulena Haxhiu e akuzuar për gazin lotsjellës në Kuvend
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, akuzohen për posedim të gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë i ngarkon të njëjtit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të KPRK-së, që dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në 5 vjet.
Sipas aktit akuzues, më 19 shkurt 2016 pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa Haxhiu, Lekaj, Bujupi dhe Baftiu ishin duke u kthyer në sallë, tek të njëjtit, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, ishte gjetur nga një bombolë e gazit lotsjellës.
Pas gjashtë dështimeve, seanca e shqyrtimit fillestar për këtë çështje ishte mbajtur më 14 prill 2021, ku të njëjtit ishin deklaruar të pafajshëm për veprën me të cilën ngarkoheshin.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 18 maj 2021 i kishte liruar nga akuza ministren Haxhiu, deputetin Lekaj dhe ish-deputetet Kadaj-Bujupi dhe Baftiu në mungesë të provave.
Ndërsa, sipas ankesës së Prokurorisë, kjo lëndë më 25 qershor 2021, ka shkuar në Gjykatën e Apelit, por që kjo gjykatë akoma nuk ka marrë vendim për këtë rast.
Ministri Liburn Aliu akuzohej për korrupsion
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu në Qeverinë Kurti 2 deri në shkurt të vitit 2022 ngarkohej me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.
Ministri Aliu akuzohej për veprën penale “Keqpërdorim të pozitës zyrtare” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së, vepër kjo e cila është e dënueshme më burgim prej 6 muaj deri në pesë 5 vjet.
Mirëpo, kjo aktakuzë e ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020 ishte hudhur poshtë nga gjykata e shkallës së parë, vendim ky i cili më pas ishte vërtetuar edhe nga shkalla e dytë.
Në këtë çështje penale, krahas Liburn Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzoheshin edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha- Prestreshi.
Lidhur me këto akuza, në seancën fillestare të mbajtur më 30 prill 2021, ministri Aliu dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm. Ndërsa, shqyrtimi i dytë për këtë rast ishte mbajtur më 7 qershor 2021.
Këtë akuzë, ministri Aliu e kishte quajtur të pabazë, duke shtuar se kishte zbatuar ligjin dhe kishte mbrojtur interesin publik.
Lidhur me këtë çështje, Gjykata Themelore në Prishtinë fillimisht e kishte hudhur poshtë akuzën ndaj ministrit Aliu, por që më pas më Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rivendosje. Pas kthimit në rivendosje nga Gjykata e Apelit, Gjykata Themelore në Prishtinë sërish kishte aprovuar kërkesat e mbrojtësve të të akuzuarve dhe kishte hudhur poshtë aktakuzën ndaj tyre, të cilën vendim më pas edhe Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar në shkurt të këtij viti.
Me vërtetimin e këtij vendimi nga Apeli, tani Ministri Aliu nuk do të gjykohet për korrupsion.
Deputetët me probleme me ligjin:
Kryekuvendari Glauk Konjufca me aktakuzë për dy vepra penale
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, po përballet me aktakuzën e ngritur më 2017 për gaz lotsjellës dhe pengim të personit zyrtar.
Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016 gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku të pranishëm ishin ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe ish-deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Valdete Bajrami, Sllobodan Petroviq dhe deputeti Pal Lekaj, i njëjti ka hedhur gaz lotsjellës, me ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen.
Për këto veprime, Prokuroria Themelore në Prishtinë, e ngarkon Konjucfën se ka kryer veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet dhe veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej 3 muaj deri në 3 vjet.
Gjykimi për rast, fillimisht ishte caktuar të nis më 28 shkurt 2022, por që seanca kishte dështuar të mbahej. Tjetër tentativë për të filluar ky gjykim ishte bërë edhe më 7 prill 2022, por që seanca fillestare për të dytën herë kishte dështuar të mbahej edhe pse kishin kaluar më shumë se 5 vite nga data kur është ngritur aktakuza ndaj Konjufcës.
Pas dy dështimeve për të filluar gjykimi ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, më 19 prill të këtij viti, është mbajtur seanca fillestare, në të cilën Konjufca është deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë.
Deputetja Mimoza Kusari Lila e akuzuar për aferën e “Hidrocentraleve”
Deputetja dhe shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare në rastin e njohur si afera e “Hidrocentraleve”. Krahas saj, për keqpërdorim pozite në këtë rast akuzohen edhe ish-ministrat e Qeverisë Thaqi 2, Besim Beqaj, Dardan Gashi dhe Nenand Rashiq, si dhe dy të akuzuarit tjerë Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka.
Ata akuzohen se me procedurën e privatizimit të katër hidrocentraleve, Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) i ngarkon të njëjtit për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, par 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.
PSRK-ja sipas aktakuzës së ngritur më 10 prill 2020 pretendon se të njëjtit kanë dëmtuar KEK-un dhe Qeverinë e Kosovës, ashtu që vetëm si qira mujore vlera dëmit ka qenë 1,054.000.00 euro, ndërsa dëm tjetër është edhe vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, dëm i cili vazhdon edhe më tutje të shkaktohet në mënyrë të përhershme.
Së bashku me të njëjtit, po akuzoheshin edhe Fadil Çitaku, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi, mirëpo Gjykata Themelore në Prishtinë kishte pushuar procedurën penale për të njëjtit për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale.
Seanca e shqyrtimit fillestar për këtë rast ishte mbajtur më 28 tetor 2020, ku 19 të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
Gjykimi për këtë rast është në vazhdim e sipër në shkallë të parë dhe ende nuk ka marrë një epilog final. Pas një viti, konkretisht më 8 maj 2023 ky rast rrezikon që të arrijë parashkrimin absolut të ndjekjes penale.
Deputetja e Vetëvendosjes, Jetmire Vrenezi me akuzë për korrupsion
Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Jetmire Vrenezi ka pothuajse 2 vite që po përballet me akuzën se ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, ashtu që ka tejkaluar kompetencat e saj me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SHPK në Prizren.
Përveç Vrenezit, Prokuroria në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë edhe ndaj Islam Thaqit, Egzonë Morina-Thaqit, Arian Tarakut dhe Isë Bislimajt, duke i ngarkuar me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, të cilët kanë vepruar në kundërshtim me ligjet në fuqi, me ç’rast gjatë rrënimit të aneksit të “Abi Çarshia” i shkaktojnë dëm në shumën prej 69 mijë e 729 euro e 66 centë.
Gjykimi ndaj deputetes Vrenezi e të tjerëve është në shqyrtim e sipër dhe ende nuk ka marrë një epilog final nga Gjykata Themelore në Prizren.
Deputeti Valon Ramadani i akuzuar për dy vepra penale
Për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, akuzohet edhe deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, njëherit ish-kandidat për kryetar të Komunës së Ferizajt.
Deputeti Ramadani po akuzohet nga prokuroria se më 21 mars 2018 në seancën e jashtëzakonshme që po zhvillohej në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kishte hedhur gazin lotsjellës, si dhe kishte penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare, në këtë rast deputetët e Kuvendit të Kosovës, me ç’rast ishin ndërprerë punimet e kësaj seance.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 30 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Valon Ramadanit, të cilin e akuzon për dy vepra penale dhe atë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, par.1 të KPRK-së, vepër kjo e cila dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet, si dhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”, nga neni 409, par.1 të KPRK-së, e dënueshme me 3 muaj deri në 3 vjet.
Fillimisht, seanca fillestare në këtë rast ishte caktuar për 12 tetor 2020, por nuk kishte arritur të mbahej për shkak të mospranimit të ftesës nga i akuzuarit Ramadani, ndërsa pas katër dështimeve për të filluar gjykimi për këtë rast më 13 korrik 2021, ishte mbajtur seanca fillestare ku deputeti Valon Ramadani ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale që i vihen në barrë.
Gjykata Themelore në Prishtinë në shtator të vitit 2021, kishte konfirmuar aktakuzën ndaj deputetit Ramadani, por që edhe pas ankesave kjo aktakuzë ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit. Tani kur kanë kaluar 6 muaj që kur Gjykata e Apelit ka konfirmuar aktakuzën për deputetin Ramadani, seanca e shqyrtimit gjyqësor ende nuk është caktuar.
Deputeti Salih Zyba me akuzë për sulm ndaj policëve
Ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Salih Zyba rëndon akuza se në gusht të 2015-ës, ka fyer e sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë tek Komuna e Prishtinës të cilëve iu kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Prokuroria pretendon se deputeti Zyba kishte dalë nga dera hyrëse e Komunës duke thirrë me zë të lartë, duke fyer e pastaj duke sulmuar fizikisht zyrtarët, të cilët ishin gjatë realizmit të lëvizjes së eskortës së Kryeministrit dhe kishin pranuar informatën se dy persona të moshës së re kanë lëshuar një qese të mbushur me diçka të dyshuar tek rrethoja e Komunës. Sipas prokurorisë, Zyba ka përdoruar dhunën ku si rezultat i sjelljeve agresive ka lënduar dy zyrtarët policorë, me ç’rast të njëjtëve iu ka shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Prokuroria Themelore në Prishtinë me aktakuzën e përpiluar më 29 janar 2016, Zybën e akuzon se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410, paragrafi 2 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.
Për këtë rast, sipas shkresave të lëndës, më 10 qershor 2021 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishte mbajtur seanca fillestare, në të cilën i akuzuari Zyba ishte deklaruar i pafajshëm.
Lidhur me këtë, kjo gjykatë më 1 korrik 2021 kishte konfirmuar aktakuzën ndaj deputetit Zyba, e që më pas më 23 korrik 2021, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar këtë aktakuzë.
Pas kalimit të më shumë se 8 muajve kur Gjykata e Apelit ka konfirmuar aktakuzën për deputetin Zyba, seanca për këtë rast ende nuk është caktuar.
Deputeti Pal Lekaj me tri aktakuza
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, njëherit ish-ministër i Infrastrukturës, të cilin e akuzon për korrupsion, për rastin e njohur si “53 milionëshi”.
Deputeti Lekaj së bashku me Eset Berishën, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatrin, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Besim Tahirin, drejtor i Prokurimit Publik, nga Prokuroria Speciale, ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me 6 muaj deri në 5 vjet.
Lekaj e të tjerët po akuzohen se me rastin e zbatimit të projektit “Autostrada Prishtinë – Han i Elezit R6”, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, me ç’rast buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro. Këtë aktakuzë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka ngritur më 4 shkurt 2022 ndaj Lekajt, Berishës dhe Shatrit. Ndërsa, më 19 shkurt PSRK-ja kishte njoftuar se më 18 shkurt të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.
Gjykimi ndaj të njëjtëve ishte caktuar të nis më 20 prill 2022, por me aprovimin e kërkesës së deputetit Lekaj kjo seancë është shtyrë për 4 maj të këtij viti, për shkak se ky i fundit nuk ishte i gatshëm të deklarohet rreth fajësisë.
Deputeti Pal Lekaj me aktakuzë për korrupsion për kohën sa ishte kryetar i Komunës së Gjakovës
Aktakuzë tjetër e ushtruar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për korrupsion ndaj deputetit Pal Lekaj është edhe ajo e 26 majit 2016.
Pal Lekaj akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për kohën sa ka qenë në krye të Komunës së Gjakovës. Për keqpërdorim pozite akuzoheshin edhe ish-zyrtari Ismet Isufi dhe zyrtari komunal Gani Rama, ndërsa për mashtrim me subvencione akuzohej biznesmeni Veli Hajdaraga.
Në shkurt të vitit 2019, Gjykata Themelore në Gjakovë, e kishte dënuar Lekajn me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht, Ramën me 1 vit burgim me kusht, ndërsa Isufin me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht. Kurse, Veli Hajdaraga ishte dënuar me dënim unik me gjobë në shumën prej 8 mijë euro, si dhe dënim me burgim me kusht prej 1 viti.
Mirëpo, në gusht të vitit 2021, rastin ndaj deputetit Lekaj dhe të tjerëve, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim. E pas rigjykimit më 21 janar 2022 të këtij viti, Gjykata Themelore në Gjakovë, Lekajn dhe të tjerët i ka liruar nga akuzat për korrupsion.
Para se aktakuza pjesërisht të hudhej poshtë, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaqin akuzoheshin se duke vepruar si zyrtarë të Komunës së Gjakovës, kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve. Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzoheshin se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.
Pal Lekaj do të përballet edhe me aktakuzën për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend
Pal Lekaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), së shpejti pritet të dalë para gjykatës, lidhur me akuzën se në nëntor të 2015-ës, në cilësinë e deputetit ka hedhur gaz lotsjellës në hollin e Kuvendit të Kosovës. Aktakuza ndaj tij rezulton të jetë ushtruar në gjykatë më 1 qershor 2017.
Lekaj po akuzohet se më 30 nëntor 2015, në hollin e Kuvendit, me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka hedhur gazin lotsjellës, me ç’rast për disa minuta është ndërprerë puna dhe deputetët e të pranishmit e tjerë, janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit.
Gjykimi ndaj deputetit Lekaj lidhur me këtë rast ende nuk ka filluar edhe pas kalimit të më shumë se 5 viteve kur është ngritur aktakuza, përderisa seanca fillestare e caktuar më 7 prill 2022 ka dështuar të mbahet.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 qershor 2017 ka ngritur aktakuzë kundër Pal Lekajt, të cilin e ngarkon me veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, par.2 të Kodit Penal, e dënueshme me gjobë deri në 10 mijë euro dhe me burgim prej një deri në 10 vjet.
Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, i dënuar me gjobë për akuzën për konflikt interesi
Zenun Elezaj në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, akuzohet se komisionin të cilin ai e kishte formuar, e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë.
Më 1 dhjetor të vitit 2021, Gjykata Themelore në Klinë, pas rigjykimit, kryetarin Elezaj, e ka dënuar me 4 mijë euro gjobë, për akuzën për konflikt interesi.
Ndërsa, gjykata ka hudhur poshtë propozimin e prokurorisë për shqiptimin e dënimit plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit, pasi bazuar në veprën penale që i vihet në barrë dhe vendimin e shqiptuar, faktin se vajza e tij më nuk punon në atë pozitë dhe nuk ka arsye për të besuar se mund të përsëritet vepra penale, andaj nuk ka shqiptuar dënimin plotësues të propozuar.
Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, më 28 prill 2021, duke anuluar kështu aktgjykimin dënues të shkallës së parë të shpallur ndaj Elezajt.
Fillimisht, Zenun Elezaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Pejë më 29 dhjetor 2020 dhe ishte dënuar me 4 mijë euro gjobë, për veprën penale “konflikti i interesit”. Ndaj tij ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat prej 2 vitesh.
Sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor të vitit 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Elezaj akuzohet për veprën penale “Konflikti i interesit” nga neni 424, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.
Sipas procedurës ankimore, kjo lëndë aktualisht gjendet në Gjykatën e Apelit.
Deputeti Xhavit Haliti i akuzuar për sulm ndaj deputetit Arben Gashi
Si pasojë e një kontakti fizik që kishte ndodhur më 18 maj 2018, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në mes të deputetit të Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, dhe deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Halitit.
Përpos tij, me aktakuzë është ngarkuar edhe ish-deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gani Dreshaj, i cili pretendohet se në të njëjtën ditë ka kërcënuar deputetin Gashi.
Sipas aktakuzës së 31 majit të vitit 2019, Haliti akuzohet se ka kryer veprën penale “sulm”, ndërsa Dreshaj për veprën penale “kanosje”.
Prokuroria, bashkë me aktakuzë, ka bërë propozimin që ndaj tyre të shqiptohet urdhër ndëshkimor, në dënim me gjobë.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 25 tetor 2019, i kishte dënuar me nga 1 mijë e 250 euro gjobë deputetin Xhavit Haliti dhe ish-deputetin nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gani Dreshaj, për sulm dhe kanosje të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi.
Ndaj vendimit për shqiptim të urdhrit ndëshkimor, brenda afatit ligjor kishte parashtruar kundërshtim mbrojtja e të akuzuarit Haliti, i cili edhe ishte aprovuar.
Megjithatë, shqyrtimi gjyqësor ndaj Halitit akoma nuk ka filluar edhe kur kanë kaluar më shumë se dy vite e gjysmë nga vendimi për shqiptim të urdhrit.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi i dënuar me 500 euro për kacafytje me një qytetar në QKMF
Shpejtim Bulliqi, kryetar i Komunës së Podujevës, është dënuar me 500 euro gjobë, për incidentin e vitit të kaluar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë.
Sipas disa videove të publikuara, më 9 shkurt 2021 në QKMF në Podujevë, kryetari Bulliqi shihej të jetë kacafytur me një qytetar dhe i njëjti e kishte denoncuar në Policinë e Kosovës, kryetarin Bulliqi me pretendimin se ishte sulmuar fizikisht dhe verbalisht nga ai në shtëpinë e shëndetit në Podujevë.
Bulliqit më 1 mars i është shqiptuar urdhri ndëshkimor me të cilin i njëjti është gjobitur me 500 euro.
Pas këtij rasti, më 8 qershor, policia kishte njoftuar se ndaj Bulliqit ishte ngritur kallëzim penal, kurse Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte njoftuar se janë duke e trajtuar rastin.
Kryetari i Kamenicës Kadri Rahimaj me akuzë për pengim të policisë në kryerjen e detyrave zyrtare
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me tre të tjerë Shahin Maliqi, Besim Ismajlaj dhe Feim Maliqi akuzohen se në tetor të vitit 2020, në Kamenicë në rrugën ‘Skënderbeu’, përballë shkollave të mesme, kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Sipas prokurorisë, si pasojë e pakënaqësisë së reformave në arsim, kanë organizuar një protestë të paparalajmëruar, ku e kishin bllokuar rrugën, duke i vënë fëmijët përpara dhe pas tentimit nga policia për ta liruar atë, të njëjtit kanë kapur fëmijët e tyre, duke i detyruar që të dalin para veturave të policisë, të hipnin mbi këto vetura dhe tërë kohën kanë goditur me duar në njërën veturë policore.
Lidhur me këto akuza, kryetari Rahimaj e të tjerët në seancën e 29 tetorit 2020 ishin deklaruar të pafajshëm.
Ndërsa, së fundi katër të akuzuarit në këtë rast kanë paraqitur kërkesa për negocim në Prokurorinë Themelore në Gjilan për të hyrë në marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.
Prokuroria Themelore në Gjilan, me aktakuzën e ngritur të 12 tetorit 2020 i ngarkon ata me veprën penale “Pengimi i personit zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 401, paragrafi 5 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me burgim prej një deri në pesë vjet.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në vazhdimësi ka avokuar që personat që kanë probleme me ligjin, të mos ushtrojnë funksione publike, si dhe që të mos përfshihen në lista zgjedhore. Kjo me qëllim që të sigurohet integritet në qeverisje, duke përçuar mesazhin e detyrimit për respektim të ligjit tek qytetarët.
IKD që nga vitit 2015, monitoron në mënyrë sistematike sistemin e drejtësisë, dukë përfshirë edhe monitorimin e rasteve ku të përfshirë janë edhe personat me pozita të ndryshme në Republikën e Kosovës si ministra, deputetë e kryetarë të komunave.