Konjufca: Ndihemi të kërcënuar nga Serbia, liria i ka rrënjët në luftën e UÇK-së

Prishtinë | 11 Nën 2022 | 10:54 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se Kosova ndihet e rrezikuar nga pretendimet e Serbisë, raporton Ekonomia Online.

Konjufca, mori pjesë në ceremoninë e betimit të 311 rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të mbajtur sot në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Në fjalimin para ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Konjufca ka deklaruar se paqe nuk do të ketë pa hequr dorë Serbia nga Kosova.

Konjufca ka përmendur UÇK-në duke thënë se liria i ka rrënjët në luftën e UÇK-së, duke shtuare se qëllim i vendit është anëtarësimi në NATO.

Në fjalën e tij kryetari Konjufca përmendi edhe agresionin rus në Ukrainë, duke potencuar se Kosova është rreshtuar përkrah popullit ukrainas dhe luftës së tij të drejtë kundër okupimit rus. Ai shtoi se nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në tokën evropiane pa hequr dorë Rusia nga Ukraina dhe Serbia nga Kosova.

“23 vjet më parë ishte NATO-ja që me bombardimet e saj e ndali gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë. Ne nuk jemi shtet që kemi pretendime territoriale, jemi republikë demokratike, por ndihemi të kërcënuar nga pretendimet e Serbisë mbi shtetin tonë. Paqja në botë sot po rrezikohet nga agresioni i paprovokuar i Federatës Ruse mbi Ukrainën. Nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në tokën evropiane, pa hequr dorë Rusia nga Ukraina dhe pa hequr dorë Serbia nga Kosova”.

“Për të lindur ky shtet u deshtë shumë mund, sakrifica dhe përpjekje. Kjo përpjekje kulmoi me luftën e drejtë të UÇK-së për mbrojtjen e vendit tonë, çlirimin e atdheut dhe largimin e okupatorit serb. Liria jonë e shenjtë i ka rrënjët në këtë luftë të lavdishme”.

“Shteti ynë është i barabartë për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, gjinie, feje apo përkatësive tjera”.

“Për ta mbrojtur lirinë e shtetit e kemi FSK-në që po ndërtohet sipas principeve të ushtrisë moderne dhe demokratike. Jemi të vetëdijshëm që gjithçka që arritëm e bëmë bashkë me miqtë tanë të çmuar, SHBA-në dhe shtete tjera të botës demokratike evropiane dhe perëndimore. Orientimi ynë është i qartë, ne duam të jemi pjesë e NATO-s”.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, deputetë, oficerë të FSK-së dhe ushtarakë të NATO-s.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme