Lëvizja Vetëvendosje ka bërë homazhe te pllaka përkujtimore për aktivistët e vrarë, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, në 12-vjetorin e protestës së 10 shkurtit 2007.
Deputeti i Vetvëndosjes, Glauk Konjufca, drejtuar të pranishmëve ka thënë se është e dhimbshme se si 12 vjet pas vrasjes së Arben Xheladini dhe Mon Balajt, nuk pati drejtësi.
“Në protestën e 10 shkurtit në momentin kur qytetarët arritën këtu policia e UNMIK-ut ju dolën përballë protestuesve dhe jua mbyllen rrugën. Ne e kishim paralajmëruar një protestë paqësorë që e shëndrroj në gjakderdhje policia e dhunshme e UNMIK-ut. Policët e UNMIK-ut filluan të qëllojnë me pushkë të gjata në drejtim të protestuesve, si pasojë e kësaj e gjetën vdekjen Arben Xheladini dhe Mon Balaj”, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se Mon Balaj e Arben Xheladini janë heronjë të pasluftës e të cilët ranë për liri e Vetëvendosje.
“Historia na ka treguar që Kosova ka pas edhe dëshmorë të paraluftës, siç janë Arben Xheladini dhe Mon Balaj. Është shumë e dhimbshme që nuk e kemi Monin e Arbenin në mesin tonë, por është e dhimbshme që nuk pati kurrë drejtësi. Njësiti prej 11 romunë u kthyen në vendin e vet dhe krejt çka është thënë nga UNMIK-u ka qenë gatishmëri për kompensim material dhe kjo na fyen të gjithve. Ne mund të qetësohemi sado pak që vetëm ata që e kanë bërë krimin të jenë prapa grilave”, tha ai.
Fahri Balaj, vëllau i Mon Balajt ka shprehur indinjatën e familjarëve për institucionet që nuk sjellën para ligjit kryesit e krimit.
“Momenti për familjarët ka qenë shumë i rëndë, nuk e kemi pritur që të vdesin ashtu në mënyrë politike. Nuk i konsideruan kurrë si qytetarë të vet,të kërkojnë llogari nga institucionet rumune. Ne kemi ngrit padi, por institucionet kurrë nuk shprehën gatishmëri që të kërkojnë llogari për këtë. Ne jemi të indinjuar me mos gatishmërinë e shtetit dhe institucioneve që të mos i sjellin para ligjit kryesit e krimit”, tha ai.