Kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se festimi i 28 Nëntorit gjithmonë fillon në Prekaz, ku ka ndodhur sakrifica më e lartë e popullit të Kosovës për liri dhe këtu ku është ngjizur lufta e lavdishme e UÇK-së, raporton Ekonomia Online.
Këto komente ai i bëri pas homazheve në Prekaz, bashkë me presidenten Vjosa Osmani, deputetë dhe ministra të kabinetit qeveritar. Ata vendosën lule në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz për nder të 28 Nëntorit.
Kryetari Konjufca tha se 28 Nëntori gjithnjë ngërthen Prekazin.
“Këtu ka ndodhur sakrifica më e madhe e popullit shqiptar për liri dhe këtu është ngjizur lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës”, tha Konjufca.
Kryetari i Kuvendit shtoi se kjo datë është e rëndësishme sepse pikërisht më 28 nëntor 1997 në Llaushë doli për herë të parë UÇK-ja, që përkon edhe me ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari.
“Nëntorët gjithnjë do të festohen dhe uroj që neve të na gjejnë më të bashkuar dhe më të fortë”, tha Konjufca.
Pas Prekazit, kryeparlamentari Konjufca së bashku me presidenten Osmani dhe nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, bënë homazhe dhe vendosë. lule edhe në Boletin.
Në kullën e heroit kombëtar Isa Boletini, Konjufca tha se Shqipëria e Kosova janë një, kanë qenë të bashkuara përgjatë gjithë historisë, ishin bashkë edhe me 28 nëntor 1912, kur u shpall Pavarësia Shqiptare.