Konjufca pas mbledhjes së VV-së, jemi kundër Gjykatës Speciale

Prishtinë | 04 Jan 2018 | 17:57 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është prononcuar para gazetarëve rreth takimit disaorësh të Kryesisë së Vetëvendosjes.

Ai tha se në mbledhje, krahas situatës së brendshme në VV, u diskutua dhe çështja e Gjykatës Speciale.

“Ne po përcjellim me shumë vëmendjen nismën e 43 deputetëve e cila tani mund të themi se ka dështuar, sepse disa prej tyre i kanë tërhequr mbrapa”, tha ai.

Sipas shefit të Grupit Parlamentar të VV-së, e vetmja mundësi që të ketë një iniciativë në Kuvend do të ishte një sponsorizim nga Qeveria.

“Doninoi mendimi që VV-ja është kundër Gjykatës Speciale, ashtu siç e kemi pasur. Është kundër sovranitetit të Kosovës. Është gjykatë me premisa diskriminuese”.

“Në anën tjetër jemi duke i konsideruar edhe lojërat politike që po bëhen për këtë çështje. Na duket i çuditshëm ky qëndrimi i PDK-së. Ishte vetë presidenti Thaçi që i dha shumë zor më të gjitha mjetet që Specialja të votohet, njëherë pati rënë, dhe Thaçi pastaj nëpër kafe i takonte deputetët për të votuar”, ka thënë ai.

Deputeti i LVV-së u shpreh i habitur me qëndrimin e partisë së Kadri Veselit për këtë çështje.

“Tash çfarë ndodhi? Pas dy vitesh e gjysmë PDK-ja ndryshon qëndrim. LDK-ja është pro, AAK-ja, VV-ja dhe Nisma ishin kundër; tani vetëm PDK-ja ka ndryshuar. Lidhet drejtpërdrejt me shqetësimet e presidentit Thaçi. Por frika jonë është se ai këtë e ka vetëm personale. Ne do ta përcjellim me më shumë kujdes”, u shpreh ai.

Konjufca nuk i arsyeton dorëheqjet nga VV-ja

Shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka folur dhe për zhvillimet e fundit në Vetëvendosjes, për çka dhe është thirrur mbledhja e sotme.

Ai tha se mbledhja (e cila zgjati rreth 4 orë e gjysmë) shkoi shumë mirë.

“U diskutuan shumë çështje të rëndësishme në të cilat po kalon VV-ja, por edhe Kosova, siç është ajo për Gjykatën Speciale. I diskutuam edhe çështjet tona të brendshme”, deklaroi Konjufca.

“Mendoj se për të gjitha mospajtimet apo dallimet në diskutime që i kemi nuk janë të arsyeshme dorëheqjet nga VV-ja. Nuk mendoj se i bën mirë njeriu VV-së duke dhënë dorëheqje”.

“Fuqia dhe ndikimi politik i VV-së në skenën politike të Kosovës dhe në mbarë shqiptarinë që ka ardhur duke u rritur nuk ka ardhur vetëm si pasojë që ne i kemi konceptet e drejta, po edhe për arsye se kemi qenë bashkë gjithmonë dhe kjo është një pjesë e fuqisë sonë”.

“Në momentin që kemi të bëjmë me dorëheqje kjo nuk i bën mirë as Kosovës as Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Konjufca, për gazetarët pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë.

Të ngjashme