Konjufca për Vjosa Osmanin: E goditi hapur Qeverinë në 2024-ën, por VV-ja i fitoi dy palë zgjedhje

Prishtinë | 13 Maj 2026 | 21:41 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se raportet mes partisë në pushtet dhe ish-presidentes Vjosa Osmani kishin nisur të ftoheshin gjatë vitit 2024, duke përmendur deklaratën e saj në Kuvend “goditje të hapur” ndaj Qeverisë së Albin Kurti.

Konjufca tha se fjalimi i Osmanit në fund të vitit 2024, ku ajo kishte kritikuar Qeverinë lidhur me raportet me SHBA-në, ishte reflektim i ndarjes së rrugëve mes saj dhe LVV-së.

“Ajo ua bëri me dije qytetarëve që e godet Qeverinë dhe që nuk është më në të njëjtin mendim me Qeverinë”, deklaroi Konjufca në debat plus.

Ai shtoi se periudha 2022-2023 kishte qenë më e mirë sa i përket bashkëpunimit me Osmanin, por se më pas kishte ardhur momenti i “thyerjes”.

Sipas tij, kryeministri Kurti ose zyrtarë të tjerë të Qeverisë mund të japin më shumë detaje për raportet me Osmanin, nëse e konsiderojnë të nevojshme për opinionin publik.

Megjithatë, Konjufca tha se jo të gjitha arsyet e ndarjes me Osmanin do të bëhen publike, duke theksuar se LVV nuk i përdor bisedat sensitive shtetërore si “armë të fushatës zgjedhore”.

Ai shtoi se LVV-ja nuk e ka parë të arsyeshme mbështetjen e një presidenteje që, sipas tij, “do ta godiste Qeverinë edhe në vazhdim”.

Konjufca deklaroi se, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje arriti rezultatin prej 51 për qind në zgjedhje edhe pas “goditjeve” që kishte marrë nga Vjosa Osmani.

Ai tha se qytetarët e kanë perceptuar ndryshimin e qëndrimit të Osmanit ndaj LVV-së si një veprim politik të lidhur me pozitën e saj.

Sipas tij, një qasje e tillë nuk përfaqëson politikë afatgjate dhe nuk ndërtohen kështu raportet politike.

Të ngjashme