Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka përkujtuar masakrën e Izbicës, duke thënë se për këto krime të Serbisë mbi popullin tonë ende s’ka drejtësi.
Ai u shpreh se trupat e disa prej tyre ende nuk janë gjetur.
“Dita e festës së Bajramit e 28 marsit 1999 u kthye në ditë lemerie dhe kobi. Në Izbicë të Skenderajt, forcat pushtuese serbe i masakruan 147 shqiptarë të pafajshëm, në mesin e tyre edhe foshnje të sapolindura, gra, pleq e të rinj. Po atë ditë dhe më 29 e 30 mars në Beleg të Deçanit dhe fshatrave përreth, Drenoc, Gjllogjan e Irzniq, u vranë, u masakruan dhe u zhdukën me dhunë mbi 66 shqiptarë”.
“Le t’i kujtojmë me pikëllim dhe krenari edhe 19 anëtarët e familjeve Bogujevci, Duriqi, Llugaliu e Gashi nga Podujeva, si dhe 21 martirët e Matiqanit të Prishtinës, të cilët u vranë po më 28 mars të vitit 1999. Për këto krime të gjenocidit të Serbisë mbi popullin tonë ende nuk ka drejtësi. Kurse Serbia udhëhiqet nga një person i cili para një jave tha se Milosheviqi nuk ka bërë asnjë krim. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca në Facebook.