Konjufca pret në takim kryetarin e Grupit të Miqësisë në Parlamentin e Estonisë, Kristo Enn Vaga

Prishtinë | 26 Qer 2024 | 15:05 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim kryetarin e Grupit të Miqësisë me Kosovën në Parlamentin e Estonisë, deputetin Kristo Enn Vaga.

Në fillim të këtij takimi ku u diskutuan çështje të ndryshme të interesit të përbashkët, kryetari Konjufca i uroi mirëseardhje dhe e falënderoi deputetin estonez, Kristo Enn Vaga për vizitën, duke e vlerësuar këtë si tregues të angazhimit për të forcuar gjithnjë e më shumë bashkëpunimin mes dy shteteve.

Bashkëbiseduesit ndanë pikëpamjet e tyre për të ecur drejt thellimit të këtyre raporteve, në fusha si ajo e tregtisë, sigurisë, teknologjisë informatike dhe digjitalizimit, integrimet evropiane, si dhe në shkëmbimin e përvojave parlamentare.

Pasi diskutuan për situatën politike në vendet përkatëse, si dhe për aspekte të sigurisë që përfshijnë rajonin dhe gjithë Evropën, kryetari Konjufca ritheksoi se mbështetja e Estonisë ndaj Republikës së Kosovës në aspiratën e saj për integrim në organizata ndërkombëtare është e rëndësishme, duke shprehur mirënjohje ndaj shtetit estonez, me pritshmërinë që kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

=

Të ngjashme