Konjufca pret të Ngarkuarin me Punë të Japonisë, diskutohet thellimi i bashkëpunimit dhe EXPO në Japoni

Prishtinë | 09 Mar 2026 | 14:46 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti sot në takim të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Japonisë në Republikën e Kosovës, z. Hiroyasu Tanigaki.

Në takim, siç ka njoftuar MPDJ, ambasadori e përgëzoi Konjufcën për mandatin e ri, ndërsa u diskutua për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.

“ Edhe pse dy vendet janë gjeografikisht të largëta, ato ndajnë interesa dhe vlera të përbashkëta që e forcojnë lidhjen ndërmjet tyre”, thuhet në njoftim.

Gjatë bisedës, siç u tha, u trajtua pjesëmarrja e Kosovës në EXPO në Japoni, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve. U përmend gjithashtu se Universiteti i Prishtinës tashmë ofron kurse të gjuhës japoneze, duke krijuar një urë të re bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve.

“Në takim u theksua edhe përputhja e qëndrimeve gjeopolitike ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, si dhe përkushtimi i përbashkët për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Zëvendëskryeministri Konjufca gjithashtu i përcolli urimet e tij Japonisë për formimin e qeverisë së re dhe për emërimin e Kryeministres së re. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të partneritetit me Japoninë”, shkroi MPJD.

Të ngjashme