Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot ka pritur në takim ambasadorin belg në Kosovë, Jean-Louis Servas, nga i cili është uruar për detyrën e re.
Në takim është biseduar për zhvillimet e gjithëmbarshme politike, por edhe për përpjekjet e Kosovës për menaxhimin e pandemisë dhe të sigurimit të vaksinave anticovid.
Kryetari Konjufca ka falënderuar ambasadorin Servas për ndihmën të cilën Belgjika i ka dhënë Kosovës në periudha të ndryshme.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se këto marrëdhënie të mira datojnë prej kohërave të mëhershme. Kryetari Konjufca ka shfaqur gatishmërinë e shtetit të Kosovës për intensifikim të bashkëpunimit, sidomos në sferën e ekonomisë dhe atë të drejtësisë.
Më tej, Kryetari Konjufca e ka informuar ambasadorin belg edhe për synimet në krye të këtij institucioni, duke përmendur reformën zgjedhore, harmonizimin gjuhësor të ligjeve si dhe zhvillimin e diplomacisë parlamentare.
Konjufca ka kërkuar mbështetjen e Belgjikës në procesin e liberalizimit të vizave si dhe në rrugëtimin e Kosovës për në BE.