Konjufca priti në takim kryetarin e Grupit të Miqësisë në Parlamentin e Estonisë, Kristo Enn Vaga

Prishtinë | 25 Tet 2023 | 14:52 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim kryetarin e Grupit të Miqësisë me Kosovën në Parlamentin e Estonisë, deputetin Kristo Enn Vaga.

Me ligjvënësin estonez kryetari Konjufca diskutoi për bashkëpunimin që ekziston midis dy shteteve dhe parlamenteve respektive, si dhe për mundësitë e avancimit të mëtejmë të tij në fusha të interesit të përbashkët.

Pasi i konsideroi të shkëlqyera marrëdhëniet midis Kosovës dhe Estonisë, kreu i Kuvendit falënderoi deputetin Kristo Enn Vaga për mbështetjen koherente të shtetit të tij për Kosovën në forume dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, duke theksuar nevojën që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Kryetari Glauk Konjufca potencoi rrugën e Estonisë në procesin e integrimit euro-atlantik dhe shërbimet e avancuara në lëmin e teknologjisë informative, duke i vlerësuar si përvoja të vlefshme për Kosovën në proceset integruese e zhvillimore të saj.

Kryetari i Grupit të Miqësisë me Kosovën në Parlamentin e Estonisë, Kristo Enn Vaga konfirmoi gatishmërinë e shtetit të tij për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe vazhdimin e mbështetjes për Kosovën.

Bashkëbiseduesit ndanë mendimin e përbashkët se funksionalizimi i grupeve të miqësisë në të dyja parlamentet do t’i japë një shtysë të rëndësishme forcimit të këtyre marrëdhënieve e të miqësisë midis dy shteteve.

Të ngjashme