Konjufca: Sanduloviq u rrah pasi njohu sovranitetin e Kosovës dhe kërkoi falje për krimet e Serbisë

Prishtinë | 05 Jan 2024 | 12:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka dënuar ashpër dhunën që është ushtruar ndaj politikanit Nikola Sanduloviq.

Konjufca, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime ndaj Serbisë.

“E dënoj në mënyrën më të ashpër aktin e shëmtuar të dhunës brutale në Serbi ndaj politikanit Nikola Sanduloviq”, shkroi Konjufca.

“Nga raportimet e mediave dhe deklarimet e familjarëve dhe avokatit mësuam se z. Sanduloviq, i marrë nga policia e shërbimit sekret serb, është mbajtur dhe rrahur nga persona zyrtarë të këtij institucioni shtetëror, e më pas i është bastisur apartamenti. Në një situatë të frikësimit dhe territ mediatik në Serbi, aludimi shqetësues se në torturim ka marrë pjesë edhe terroristi Milan Radojçiq, i kërkuar nga Republika e Kosovës dhe ndërkombëtarisht për sulmin terrorist në Banjskë, akoma nuk është sqaruar”.

Ai potencoi se ‘përpjekja për të trembur dhe zmbrapsur politikanë si z. Sanduloviq, i cili sulmohet pikërisht se njeh sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe kërkon falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, vjen si sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndaj kulturës politike evropiane në Serbi”.

“Duke i dëshiruar shërim sa më të shpejtë z. Sanduloviq, e duke uruar që ai të dalë edhe më i vendosur nga ky sulm i rëndë, i bëj thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime frenuese të brutalitetit të shtetit serb, që është i orientuar sa drejt Republikës së Kosovës, aq edhe drejt figurave publike që i shërbejnë përparimit të marrëdhënieve tona”.

“Demokracia matet me elementet brendashtetërore, por edhe me krahasimet me vendet ku ajo tashmë është etabluar rrënjësisht. E në këtë kuptim, reagimi i vendeve demokratike kundrejt këtij akti të rëndë është tepër përcaktues”, shkroi kryeparlamentari.

Të ngjashme