Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se Dita ndërkombëtare e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë është “dhimbje që s’përfundon kurrë”, raporton Ekonomia Online.
Pas homazheve, kryetari Konjufca tha se zhdukja me dhunë e mijëra qytetarëve të Kosovës është një dhimbje që nuk po përfundon kurrë dhe një mungesë e drejtësisë për familjarët dhe për të gjithë popullin e Kosovës, për të cilën përgjegjës është shteti serb.
“Me vet faktin që në vitet e fundit në shumë lokacione të Serbisë, si në Peruçac, Rudnicë, Kizhevak dhe vende tjera u gjendën trupat e më të dashurve tanë, tregon që harta ku bashkësia ndërkombëtare duhet t’i kërkojë të zhdukurit me dhunë është Serbia, e po ashtu Serbia është edhe shteti ku ndodhen kriminelët, të cilët i kanë kryer këto krime ”, tha kryetari Konjufca.
Kreu i Kuvendit ftoi bashkësinë evropiane dhe faktorë të tjerë vendimmarrës që të bëjnë trysni te institucionet në Serbi që të zbardhet e vërteta për mijëra të zhdukur, për të cilët është përgjegjës shteti serb.
“Ne duhet t’i marrim të gjitha masat të cilat janë në dorën e institucioneve të Kosovës, ashtu që të sigurohemi se edhe bashkësia evropiane edhe faktorë tjerë të rëndësishëm të vendimmarrjes të vetëdijesohen se ka nevojë për një trysni më të madhe në Aleksandër Vuçiqin dhe institucionet e Serbisë, që t’i hapin arkivat e tyre dhe të zbardhet e vërteta për mijëra të zhdukur, për të cilët përgjegjëse padyshim ka qenë ushtria, policia dhe formacionet paramilitare, të cilat janë kontrolluar totalisht nga shteti i Serbisë”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës.