Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe zyrtari i lartë i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, në pesë vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS), ka thënë se kjo çështje është më aktuale sot se që ishte kur u nënshkrua.
Ai në një konferencë për medie, tha se kjo marrëveshje do të duhej të hidhej poshtë e të harrohej, meqë Gjykata Kushtetuese e shpalli në kundërshtim me Kushtetutën në 23 pika të saj.
Konjufca shtoi se njëjtë si Asociacioni, rrezik për Kosovën paraqet edhe projekti për ndarje ose shkëmbim të territoreve me Serbinë.
Sipas tij, të dyja janë në tavolinë e negociatave.
“Sot është 5-vjetori i nënshkrimit të Zajednicës, në të cilën e pat hedhur nënshkrimin kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa. Fatmirësisht marrëveshja u hodh poshtë nga Kushtetuesja, pasi në 23 pika u shpall jo-kushtetuese, por për shoqërinë, shtetin dhe popullin tonë ka qenë shumë tronditëse deri në cilën pikë mund të shkojnë politikanët që e përfaqësonin vendin në atë kohë”.
“Pse po ia kushtojmë këtij projekti të rrezikshëm këtë konferencë? Në vend që të shpallej e vdekur Zajednica pas vendimit, ajo është më aktuale se kurrë tash kur jemi në prag të asaj që po quhet faza finale e dialogut”.
“Fatkeqësisht në LDK dhe në partitë e PAN-it ka dy lloj të politikanëve, pro Zajednicës dhe pro shkëmbimit të territoreve. Prandaj duhet të ngrehim këtë çështje, pasi është vetëm VV-ja që i refuzon dhe i kundërshton të dyja”.
Sipas tij, këto duhet të kundërshtohen nga të gjithë ata që përfaqësojnë Kosovën në dialog.
“Edhe shkëmbimi, edhe Zajednica janë sinonime të ndarjes së Kosovës. Zajedenica është njëfarë bosnjëzimi i Kosovës”, tha ai.