Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se Kosova nuk ka për qëllim të pengojë nismat rajonale si CEFTA. Por sipas tij, shteti duhet të veprojë me kujdes pas sulmit terrorist në Banjskë.
Ai theksoi se shqetësimi kryesor i Kosovës është hyrja e pakontrolluar e mallrave dhe armëve nga Serbia, gjë që mund të rrezikojë sigurinë kombëtare, raporton Ekonomia Online.
Konjufca sqaroi se vendimi i Kosovës për të ndaluar mallrat serbe nuk ishte një veprim qëllimisht plan-prishës ndaj CEFTA-s, por një masë mbrojtëse për të garantuar sigurinë e vendit.
“Nuk është bërë në asnjë mënyre që ta dëmtojë CEFTA-n. Nuk është bërë që në te jemi plan-prishës të këtyre nismave rajonale. Më shumë kemi pas asaj që ka ndodhur në Bansjkë”.
“Shqetësimi kryesor ka qenë që nëse ka hyrje të pakontrolluar të mallrave serbe, kamionëve serbe kjo e vendos Kosovën në një pozitë shumë të vështirë, s’do ta kishim kontrollin sa i përket hyrjes së mallrave të dyshimta, shqetësime rreth hyrje se armatimit”.
“Kemi pritur që do të ketë mirëkuptim ndërkombëtar. Unë mendoj që ka pasur mirëkuptim ndërkombëtar tash siç po e shohim disa shtete edhe Gjermania janë këmbëngulëse që kjo të hiqet”.
“Ne edhe dëshirojmë që të mos jemi pengues të funksionimit të CEFTA-s, në të njëjtën kohë të mos jemi naiv sa që të na ndodhë me hy diçka në Kosovë për të cilën ne nuk kemi kontroll, pastaj na kthehet boomerang”.