Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur në takim Martin Vickers, deputet i Parlamentit të Britanisë së Madhe, njëherësh i Dërguar i Kryeministrit për Tregti në Ballkanin Perëndimor, raporton Ekonomia Online.
Në takim, ndër të tjera, u bisedua për zhvillimet politike, bashkëpunimin ndërparlamentar, atë ekonomik dhe tregtar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Kryetari Konjufca ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Kosovës në të gjitha etapat e shtetndërtimit, si dhe në rrugën e zhvillimit dhe të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.
Mbretëria e Bashkuar ka pasur dhe vazhdon të ketë rol të veçantë në çlirimin, pavarësinë, rindërtimin dhe rimëkëmbjen e Kosovës. Bashkë me miqtë, shteti ynë ka shënuar arritje të mëdha dhe në partneritet me ta do të ecën drejt objektivave të së ardhmes, ka thënë Kryetari i Kuvendit, duke kërkuar përkrahjen e mëtejme për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.
Deputeti Vickers e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen dhe konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, si dhe përkushtimin për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona.