Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim aktivisten për të drejtat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, njëherësh dhe deputete Vasfie Krasniqi – Goodman.
Konjufca ka thënë se para drejtësisë duhet të dalin të gjithë urdhërdhënësit dhe kryesit të krimeve në Kosovë, transmeton Telegrafi.
“Sot kam pritur në një takim aktivisten për të drejtat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, njëherësh dhe deputete e Kuvendit të Kosovës, znj.Vasfie Krasniqi – Goodman. Me këtë rast vura në pah obligimet shtetërore dhe institucionale ndaj viktimave të dhunës së forcave serbe në Kosovë, si dhe rëndësinë e nxjerrjes para drejtësisë të urdhërdhënësve dhe kryersve të këtij krimi çnjerëzor lufte”, ka thënë ai.
Konjufca ka thënë se “Adresa e të gjitha krimeve në Kosovë është Serbia, por drejtësi për krimet e luftës dhe gjenocidin serb s’ka ende”.
“Është obligim yni institucional e shtetëror për ta vënë drejtësinë në vend. Sepse, nuk mund të ketë paqe e pajtim pa drejtësi. Më herët gjatë ditës, në një pritje të znj. Krasniqi në Presidencë, presidentja Vjosa Osmani – Sadriu në konsultim me znj. Krasniqi ka propozuar që 14 prilli të shënohet si Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, propozim ky që do ta ketë përkrahjen time si Kryetar i Kuvendit të Kosovës”, ka thënë ai.