Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim kryetarin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), njëherësh zv/president i UEFA-s, Armand Duka, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Duke i dëshiruar mirëseardhje në Kuvendin e Kosovës si dhe duke e uruar për zgjedhjen zv/president të UEFA-s, kryetari Konjufca përgëzoi kreun e FSHF-së për arritjet e deritashme të kombëtares së Shqipërisë në futboll, sidomos për sukseset e mëdha në garat e fundit për Euro 2024.
“Kombëtarja shqiptare e futbollit është modeli më i suksesshëm i asaj se çfarë mund të arrijmë kur jemi të bashkuar në forca, ide dhe qëllime. Ajo na ka bërë të gjithëve krenarë”, theksoi kryetari Konjufca.
Kryetari i FSHF-së, Armand Duka falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen e ngrohtë e miqësore si dhe për diskutimin e hapur lidhur me zhvillimin e sportit në Kosovë dhe Shqipëri.
Në takim u diskutua po ashtu për zhvillimin dhe sukseset e futbollit në Kosovë, mbështetjen që Qeveria e Kosovës i jep futbollit, duke u ndalur edhe te bashkëpunimet e mëtejshme në projekte dhe politika konkrete mes dy federatave.
Gjatë vizitës kryetari i FSHF-së, Armand Duka, shoqërohej nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi dhe bashkëpunëtorë të tjerë.