Konjufca takohet me Ministrin e Haxhit dhe Umres të Arabisë Saudite, Tawfiq Al-Rabiah

Prishtinë | 29 Tet 2024 | 14:46 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Ministrin e Haxhit dhe Umres të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Tawfiq Al-Rabiah, ku ishin të pranishëm edhe Ambasadori Jorezident i Mbretërisë së Arabisë Saudite, Faisal bin Ghazi Hifzi si dhe Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava.

Kryekuvendari Konjufca i uroi mirëseardhje ministrit Tawfiq Al-Rabiah në vizitën e tij të parë në Republikën e Kosovës dhe shprehu nevojën e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në takim u bisedua për disa çështje të interesit të përbashkët, duke përfshirë lehtësimin e udhëtimit të qytetarëve në të dy vendet dhe qarkullimin e mallrave apo shërbimeve, për nevojën e formimit të delegacioneve të bizneseve si një mekanizëm për të nxitur rritjen e bashkëpunimit ekonomik, diskutuan rreth përfitimit nga përvojat dhe kapacitetet në fushën e IT-së, si dhe për bashkëpunimin që mundëson në mënyrë sa më optimale ushtrimin e jetës shpirtërore të qytetarëve.

Në këtë kontekst, Tawfiq Al-Rabiah informoi mbi platformën e-Visa të Arabisë Saudite, si infrastrukturë digjitale që lehtëson procedurat e vizitave, prej të cilës përfitojnë edhe personat që vizitojnë këtë vend për të ushtruar rite fetare të jetës shpirtërore dhe besimit.

Ai tha se Arabia Saudite, si në të kaluarën, do të vazhdojë ta mbështesë Republikën e Kosovës, me gatishmëri për të thelluar gjithnjë e më shumë marrëdhëniet e mira midis dy vendeve.


Të ngjashme