Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri jorezident të Kuvajtit në Kosovë, Faisal Al-Musaileem, raporton Ekonomia Online.
Në frymën e marrëdhënieve miqësore mes popujve dhe shteteve tona u theksua gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, sidomos sa i përket hapësirës për zhvillim të mëtejshëm në investime dhe shkëmbime tregtare.
Kryetari Konjufca uroi ambasadorin Al-Musaileem për detyrën e re dhe i shprehu mirënjohje për mbështetjen e Kuvajtit ndaj Republikës së Kosovës, për qasjen kontribuuese në sferën e politikës së jashtme, në veçanti për përkrahjen e aspiratave të shtetit tonë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Ambasadori Al-Musaileem e falënderoi Kryetarin Konjufca për pritjen dhe tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Kuvajtit duhet të zhvillohen në të gjitha sferat, përfshirë edhe fushën parlamentare.
Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit dhe ambasadori kuvajtian diskutuan po ashtu mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke konsideruar se marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe nuk janë thjesht pikëmbërritje e përmbyllur por një potencial i rëndësishëm për avancimin e raporteve të gjithanshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Kuvajtit.