Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar sot një takim virtual dhe shumë miqësor me kryetaren e Parlamentit të Polonisë (Marshall of the Sejm), Elżbieta Witek.
Gjatë bashkëbisedimit virtual u trajtuan tema të ndryshme të rëndësishme për Kosovën, rajonin, Poloninë, Evropën dhe botën.
Sa i përket agresionit të Rusisë në Ukrainë, znj. Witek e njoftoi kryetarin Konjufca për sfidat nëpër të cilat Polonia është duke kaluar. Ajo theksoi se shteti i saj tashmë ka pranuar më shumë se tre milionë refugjatë nga Ukraina, si dhe njoftoi që Parlamenti i Polonisë deri më tani ka miratuar pesë rezoluta mbi agresionin rus dhe Ukrainën.
Poashtu znj. Witek kërkoi të ketë sa më shumë solidaritet, bashkëpunim dhe harmonizim të të gjitha shteteve përkitazi me sanksionet kundër këtij agresioni.
Duke u ndërlidhur, Kryetari Konjufca e njoftoi homologen e tij polake lidhur me miratimin e rezolutës së Kuvendit për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, harmonizimin e politikës së jashtme të Kosovës me atë të BE-së dhe SHBA-së mbi sanksionet kundër Rusisë. Po ashtu e njoftoi se Kosova ka marrë vendim të akomodojë 5000 refugjatë dhe 20 gazetarë ukrainas. Në këtë krizë globale ne jemi rreshtuar përkrah popujve liridashës dhe demokratik, meqë edhe vetë kemi qenë viktimë e agresionit serb. Për më tepër pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia ndikon drejtpërdrejt edhe në sigurinë rajonale e më gjerë.
Tutje, Kryetari Konjufca shprehu mirënjohje për kontributin e Polonisë dhënë shtetit tonë, duke theksuar se Polonia është shtet mik dhe mbështetëse e Kosovës gjatë rrugëtimit të shtetndërtimit të saj. Shtetet tona janë në rrugën e tyre të përparimit dhe avancimit të marrëdhënieve dypalëshe, të bazuara në besim dhe respekt të ndërsjellë, dhe se jemi të përkushtuar për miqësi dhe partneritet afatgjatë me Poloninë. Ardhmëria e Republikës së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor është në BE, prandaj preferojmë një rrugë të qartë përpara.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se sfidat e fundit të sigurisë globale kërkojnë unifikim dhe shprehën gatishmërinë për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe bashkëpunimin e dimensionit parlamentar në mes të dy shteteve tona.