“Vendimi lidhur me propozimin për liberalizimin e vizave është duke u shqyrtuar aktualisht nga Këshilli”, ndërsa “përmbyllja pa shtyrje të mëtejshme të marrëveshjes me Serbinë, me lehtësimin e Përfaqësuesit të Lartë, është qenësore që Kosova dhe Serbia të lëvizin në shtigjet respektive evropiane”.
”Taksa 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë duhet të hiqet menjëherë”.
Këto janë dy pjesë kryesore nga Konkluzat e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian që do të miratohen në mbledhjen e sotme dhe të cilat Klan Kosova i ka siguruar në tërësinë e tyre dhe që japin sinjalet më të këqija për Kosovën qyshkur ato janë dhënë për herën e parë.
Të ashpra, të qarta dhe shqetësuese, ato duhet të jenë sirena alarmi për qeverinë, ngaqë në plotninë e tyre përshkruhen nga kërkesa për të bërë diçka ndryshe nga ajo që po bëhet aktualisht.
Në trembëdhjetë nga katërmbëdhjetë pikat të cilat i ka miratuar Këshilli, kërkohet ndryshim – qoftë një dinamikë e re, qoftë një pozicion ndryshe nga ai që aktualisht mban Qeveria e Kosovës. Pra kërkohet që Qeveria e Kosovës t’i adresojë ndryshe problemet.
Kritikat e Këshillit të Ministrave janë veçanërisht të ashpra për taksën ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për punësimet e njerëzve me precedent penalë, për mosimplementimin e Asociacionit, për mosçeljen e Urës së Mitrovicës, dhe për mënyrën si po trajtohet Gjykata Speciale.
Por për Qeverinë e Kosovës pjesa më e rëndë duhet të jetë ajo tek pika e fundit, që flet për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit, që përmbyllet me fjalinë me të cilën hapet ky shkrim – se vendimi për këtë gjë është akoma në trajtesë.
Siç është bërë e qartë, sa i përket taksës, kërkesa është e palëkundur: ajo nuk është në frymën evropiane dhe po e pengon bashkëpunimin rajonal, e rrjedhimisht dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Konkluzat e Këshillit adresojnë po ashtu edhe kritikat, që deri tani kësaj qeverie i janë bërë nga shoqëria civile, për mungesën e vendosmërisë në trajtimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Këshilli mbetet i shqetësuar për ndërhyrjet politike në emërimet e pamerituara dhe shpreh keqardhje për caktimin e njerëzve të dënuar për krime lufte në pozita të tilla, që është në kundërshtim me vlerat evropiane”.
Duke adresuar kritika të shumta në plotninë e pjesës për Kosovën, Konkluzat e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian shprehin mospajtimin e BE-së për rrugën dhe mënyrat që po përdor Kosova, si paralajmërim për pozicionin që do të mbahet në çështjet që lidhen me agjendën evropiane të vendit.