Konkursi për drejtor të Agjencisë së Akreditimit mund të anulohet

Prishtinë | 20 Shk 2020 | 09:34 | Nga Ekonomia Online

Konkursi i fundit për drejtor të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), i hapur dy vjet më parë, mund të anulohet. Këtë e ka konfirmuar për gazetën, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Hykmete Bajrami. Ajo ka bërë të ditur se nëse evidentohet që ka pasur shkelje gjatë procesit të rekrutimit do të nisin procedurat nga e para, duke hapur konkurs të ri për këtë pozitë.

Konkursi i fundit për drejtor të Agjencisë së Akreditimit ishte hapur në vitin 2018, me ç’rast në tetor të atij viti, komisioni i Ministrisë së Administratës Publike (MAP) kishte publikuar listën me rekomandime. Ish-ministri Shyqiri Bytyqi nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim duke e bllokuar emërimin e drejtorit të këtij institucioni. Për drejtor të AKA-së ishin dhënë dy rekomandime ku në listën e komisionit të MAP-it, i pari ishte kandidati Afrim Loku, ndërkaq në listën e Ambasadës britanike i pari ishte renditur kandidati Naim Gashi. Qeveria dhe Ambasada britanike në vitin 2018 kanë nënshkruar një marrëveshje sipas së cilës duhet të ketë dakordim mes të dyja palëve në emërimin e pozitave të larta.

Përkundër se zgjedhja e drejtorit të Akreditimit ishte në gjysmë të procesit, ish-ministri Bytyqi në javën e fundit në krye të MASHT-it, shkarkoi ushtruesin e detyrës së drejtorit të Agjencisë, Avni Gashi, dhe e emëroi ushtrues detyre, Shkëlzen Gërxhaliun. Bytyqi nuk kishte dhënë sqarime përse nuk e emëroi drejtorin sipas procedurave të konkursit, por emëroi ushtrues detyre.

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, në një përgjigje me shkrim ka thënë se në momentin e marrjes së mandatit ka kërkuar nga zyrtarët përgjegjës në Ministri informacione të plota rreth procesit të zgjedhjes së drejtorit në AKA, me qëllim të adresimit sa më të shpejtë të kësaj çështjeje, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Bajrami është zotuar se pozita e drejtorit të AKA-së do të plotësohet shumë shpejt.Koha.Ditore.

Të ngjashme