Për më shumë se një muaj ka qëndruar i hapur konkursi i Policisë së Kosovës për zyrtarë policorë në Veri. Se sa persona kanë aplikuar nuk dihet, mirëpo, sipas Policisë, mbi 140 i kanë plotësuar kriteret. Tashmë këta 140 persona do t’i nënshtrohet testit me shkrim.
Në konkursin e shpallur të policisë është bërë e ditur se personat që i kanë përmbushur kriteret do t’i nënshtrohen gjashtë testeve: testi me shkrim, testi i aftësive fizike, intervista, testi psikologjik, kontrollimi mjekësor dhe verifikimi i të kaluarës.
Personat që e kalojnë testin me shkrim, do të t’i nënshtrohen testit të aftësive fizik e kështu me radhë deri në përfundimin e të gjitha testeve.
Testi me shkrim do të mbahet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri me datën 20 shkurt 2023 në ora 10:00.
Informatat për mbajtjen e testit me shkrim:
Çfarë duhet të dini për testin me shkrim?
– Testi me shkrim përbëhet nga 100 pyetje dhe është i dizajnuar të vlerësojë kandidatin në fushën e njohurive të përgjithshme (40%), gramatikë (30% ) si dhe matematikë (30%).
– Kandidatët në testin me shkrim duhet të shënojnë/plotësojnë përgjigjen në pyetjen e parashtruar nga katër opsionet a,b,c,d se vetëm një është e saktë.
– Rezultati minimal i kërkuar për të kaluar testin me shkrim është 70% të përgjigjeve të sakta nga testi.
– Testi me shkrim zgjatë 150 minuta (dy orë e tridhjetë minuta ) në interval kohor.
-Kandidatet të cilët e kalojnë me sukses testin me shkrim (minimumi 70%), e fitojnë të drejtën për t’iu nënshtruar fazës së dytë-testit fizik.
– Nëse kandidati dështon në këtë fazë të testimit me shkrim, ai/ajo nuk ka të drejtë të vazhdojë në fazat tjera dhe nuk i lejohet përsëritja e testit.
-Të gjithë kandidatët, për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces, mund të drejtohen në zyrat e Personelit në Drejtoritë Rajonale të Policisë.
Kujtojmë që Policia e Kosovës e shpalli këtë konkurs pas afër 600 dorëheqjeve të pjesëtarëve serbë.