Konkursi për radiologë në pikëpyetje, Shoqata kërkon anulim për shkak të parregullsive

Prishtinë | 01 Pri 2026 | 10:57 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e Radiologëve të Kosovës ka reaguar lidhur me procedurën e konkursit për pozitën e mjekut specialist në Radiologji, duke ngritur shqetësime serioze për parregullsi profesionale dhe metodologjike gjatë testimit dhe vlerësimit të kandidatëve.

Në dokumentin e siguruar nga Klan Kosova, thuhet se disa nga pyetjet e testit dhe çelësi zyrtar i përgjigjeve kanë qenë të pasakta dhe jo në përputhje me standardet e literaturës profesionale, duke cenuar kështu, siç thuhet në reagim, parimet e barazisë, objektivitetit dhe meritokracisë.

Në veçanti, kjo shoqatë thekson rastet e pyetjeve konkrete, si ato me numër 14 dhe 12, ku sipas analizës profesionale kanë ekzistuar më shumë alternativa të sakta sesa ato të pranuara nga komisioni vlerësues.

Sipas këtij dokumenti, Shoqata e Radiologëve të Kosovës kërkon anulimin e plotë të procedurës së konkursit, si masa e vetme efektive për rikthimin e ligjshmërisë dhe besimit në proces, po ashtu e njëjta u bën thirrje institucioneve kompetente që të trajtojnë këtë çështje me seriozitet dhe transparencë, në mënyrë që të garantohen standardet profesionale në sistemin shëndetësor, njofton Klankosova.tv.

Po me të njëjtat pretendime dhe ankesat e bëra, është anuluar edhe konkursi për pozitën oftalmolog.

Të ngjashme