Shtatë kandidatë i janë futur garës për të udhëhequr me Shërbimin Korrektues të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
Për shkak se e konsideron të vogël numrin prej shtatë aplikimeve në konkursin publik, Ministria e Drejtësisë që udhëheq këtë institucion ka marrë iniciativë që ta anulojë sërish konkursin. Lajmin e ka konfirmuar për gazetën ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
“Jemi duke kërkuar rrugë ligjore që të anulojmë këtë konkurs”, ka thënë ai.
Tahiri ka thënë se Shërbimi Korrektues i Kosovës është njëri nga institucionet me të rëndësishëm në kuadër të Ministrisë se Drejtësisë, andaj, sipas tij, duhet t’i kushtohet rëndësi se kush do të jetë në krye të këtij institucioni. Tahiri nuk ka thënë nëse këta kandidatë i plotësojnë ose jo kushtet, por është shprehur i brengosur për interesimin e vogël të njerëzve për të marrë pjesë në këtë konkurs.