Konsullata në të cilën në fundvit Behgjet Pacolli ia ka akomoduar nipin Sami Lushtakut është cilësuar e paprecedentë. E hapur një vit më parë pa pompozitet, ajo funksionon brenda Ambasadës së Kosovës në Tiranë dhe është kthyer në institucion vetëm për të akomoduar njerëz, meqë në të nuk ka ndonjë ngarkesë me punë konsullore.
Festim Lushtaku ka qenë “asistent administrativ”, në kuadër të stafit konsullor të Kosovës në Stuttgart të Gjermanisë. Në fillim të nëntorit, atë e ka emëruar Pacolli konsull dhe e ka caktuar të shërbejë në Konsullatën e përgjithshme të vendosur në kryeqendrën e Shqipërisë. Sipas vendimit, ai do të shërbejë në një mandat 4-vjeçar, shkruan Koha Ditore.
Emërimi dhe caktimi i Lushtakut në misionin konsullor në Tiranë është bërë në kundërshtim me ligjet në fuqi, meqë ato parashohin që grada diplomatike e konsullore mund të marrin vetëm ata që suksesshëm kalojnë në Komisionin për Grada dhe Disiplinë dhe që, të paktën, një vit më herët kanë qenë të punësuar në Ministri. Ligji nuk ia njeh të drejtën ministrit që vetë, dhe duke shpërfillur komisionin, të ofrojë grada për stafin ose për persona jashtë Ministrisë.
Një burim i gazetës në Ministrinë e Punëve të Jashtme ka thënë se me këtë emërim stafi në Konsullatën në Tiranë ka mbërritur në gjashtë.