Platforma transmetuese, “Netflix”, po përballet me një padi kolektive nga konsumatorët, e cila synon ta bllokojë blerjen e planifikuar prej 72 miliardë dollarësh të studios dhe platformës së “Warner Bros. Discovery”, sipas Reuters.
Padia është dorëzuar të hënën në SHBA nga një abonente e “HBO Max”, platformë në pronësi të “Warner Bros.”, e cila pretendon se marrëveshja do të dëmtonte konkurrencën në tregun amerikan të shërbimeve të transmetimit me pagesë.
Disa anëtarë të Kongresit Amerikan kanë shprehur shqetësime serioze për këtë marrëveshje, e cila pritet të përballet me kontroll të rreptë nga autoritetet rregullatore amerikane për shkak të ligjeve kundër monopoleve.
Ndërkohë, të hënën, “Paramount Skydance” ka dorëzuar një ofertë prej 108.4 miliardë dollarësh për “Warner Bros. Discovery”, duke sfiduar drejtpërdrejt ofertën e “Netflixit”.
Ligjet federale amerikane kundër monopoleve u lejojnë konsumatorëve të padisin për bashkime dhe blerje të mëdha, veçmas proceseve të ngritura nga autoritetet shtetërore, megjithëse raste të tilla shpesh përballen me pengesa të mëdha ligjore.
“Netflix”, platforma më e madhe e transmetimit në botë, ka reaguar duke thënë se padia është e pabazë.
“Ne besojmë se kjo padi nuk ka bazë dhe është thjesht një përpjekje nga avokatët e paditësve për të përfituar vëmendje nga kjo marrëveshje”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Avokatët kryesorë të paditësve kanë refuzuar të komentojnë mbi rastin.
Në padi thuhet se Netflix “ka treguar vazhdimisht gatishmëri për të rritur çmimet e abonimeve, edhe në prani të konkurrentëve seriozë si ‘Warner Bros. Discovery’”.
Sipas padisë, blerja e “Warner Bros.” do të eliminonte një nga rivalët më të afërt të “Netflixit”, platformën “HBO Max”, dhe do t’i jepte kompanisë kontroll mbi disa nga markat më të mëdha të industrisë së argëtimit, përfshirë “Harry Potter”, “DC Comics” dhe “Game of Thrones”.
“Warner Bros. Discovery” nuk është përfshirë si palë e paditur në këtë padi.
Padia është ngritur nga firma ligjore Bathaee Dunne, e cila ka ndjekur edhe raste të tjera të ngjashme kundër kompanive të mëdha të medias dhe financave. Në një rast tjetër, kjo firmë përfaqëson abonentë të” YouTube TV” dhe platformave të tjera në një padi kundër kompanisë “Disney”, e akuzuar për dëmtim të konkurrencës në tregun e transmetimeve televizive me pagesë. “Disney” i ka mohuar akuzat, por ka rënë dakord të paguajë një shumë të pazbuluar për ta mbyllur çështjen.
Rasti i tanishëm është regjistruar si Michelle Fendelender kundër “Netflix”, në Gjykatën Federale të Distriktit Verior të Kalifornisë.