Konteiner me kokainë në Portin e Durrësit

Prishtinë | 27 Sht 2019 | 09:23 | Nga Ekonomia Online

Dy konteinerë me kokainë të nisur tranzit nga Porti i Pireut në Greqi me destinacion Portin e Durrësit, dyshohet se përmbajnë lëndë narkotike të llojit kokainë.

Hetimi është nisur nga autoritetet greke të cilat kanë vënë në dijeni palën shqiptare. Konteinerët mbërritën nga Ekuadori në Portin e Pireut më 14 Shtator.

Hetuesit grekë gjetën brenda tyre 45.8 kg kokainë. Për të zbuluar personat që fshihen pas këtij trafiku ndërkombëtar, pala greke lejoi që të kryhej itinerari i përcaktuar për dy konteinerët. Kështu, u vendos në dijeni dhe pala shqiptare dhe u udhëzua që të monitoronte në distancë dy konteinerët që kishin destinacion Shqipërinë.

Konteinerët mbërritën në Portin e Durrësit më 17 Shtator. Që prej asaj dite janë nën monitorim nga hetuesit shqiptarë. Më 20 Shtator, 3 persona u afruan tek njëri nga konteinerët që ndodhen në Portin e Durrësit. Pasi kuptuan se po monitoroheshin, u larguan. Njëri prej tyre tashmë është arrestuar, kurse dy të tjerët janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim.

Autoritetet shqiptare kanë vënë në dijeni homologët grekë se në këtë rast të trafikut ndërkombëtar të kokainës janë të përfshirë 4 persona dhe hetimi ende po vazhdon. Ndërsa konteineri i dytë po mbahet ende në monitorim. Nga policia shqiptare nuk ka asnjë reagim për shkak se hetimet po vijojnë.

Prej 6 ditësh, konteinerët po qëndrojnë në Portin e Durrësit, ndërsa pritet që aksioni të finalizohet gjatë këtyre ditëve dhe policia të hapë konteinerët.

Të ngjashme